AlbanianSport.com 15.02.2016 08:45
ASNN – Shqipëria ndeshjet me Austrinë, Gjermania me Anglinë e Zvicra me Irlandën. Shumica e përfaqësueseve evropiane të futbollit tashmë i dinë ndeshjet dhe kundërshtarët për muajin mars. Në kalendarin e FIFA-s periudha prej 21, deri më 29 mars 2016, është e rezervuar për ndeshjet e përfaqësueseve, zyrtare e miqësore.
Disa përfaqësuese gjatë kësaj periudhe e luajnë nga një ndeshje, disa nga dy, shkruan sot e përditshmja e mirënjohur kosovare, “Koha Ditore”. Një miqësore shpreson ta luajë edhe përfaqësuesja e Kosovës në futboll. Por Kosova ende nuk ka kundërshtar dhe nuk ka datë të caktuar.
Gjithçka dihet është se ndeshja mund të luhet në territorin e Gjermanisë. Federata e Futbollit e Kosovës është duke punuar për të organizuar një ndeshje dhe për të gjetur një kundërshtar, ndërsa trajneri Albert Bunjaku është duke përgatitur ndeshjen, të cilën nuk e di se kundër kujt do ta luajnë të përzgjedhur e tij.
Në fakt, ndeshja e marsit mund të jetë e veçantë. Nëse çdo gjë ecën sipas parashikimeve të drejtuesve të FFK-së, ajo do të jetë e fundit para pranimit në FIFA e UEFA. Periudha e ardhshme e FIFA-s për ndeshje miqësore e zyrtare të përfaqësueseve është prej 30 majit deri më 7 qershor 2016.
Ndërkohë, në fund të majit, në FFK presin që Kosova të jetë anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s.