AlbanianSport.com 10/10/2018 22:45
ASNN – Ndeshja midis Kosovës dhe Maltës, e vlefshme për Ligën e Kombeve, ka nisur në Stadiumin “Fadil Vokrri” të stërmbushur, me përfaqësuesen vendase në kërkim të pikëve maksimale për të vazhduar të jetë kryesuese e Grupit 3 në Ligën D. Nga dy ndeshjet e para në Ligën e Kombeve përfaqësuesja e Kosovës pati mbledhur katër pikë dhe në takimin e së enjtes mbrëma, skuadra e trajnerit Bernard Shalandë ka shpërdoruar dy raste të mira për gol.
Edon Zhegrova dhe Valon Berisha kanë patur mundësi për të rrezikuar në 15 minutat e para, por të dy mesfushorët e Kosovës nuk arritën të ishin të saktë në gjuajtje. Goditjen e Zhegrovës e priti portieri kundërshtar, ndërsa të Berishës e ndalën mbrojtësit. Dhe, pas një gjysmë ore lojë, vendasit kanë kaluar në epërsi ndaj Maltës. Duke përfituar nga një vertikalizimi i saktë i Valon Berishës, mbrojtësi Benjamin Kololli ruan qetësinë dhe e mposht portierin mik, duke e kaluar Kosovën në epërsisë.
Ky ishte goli i tij të parë me fanellën e përfaqësueses. Kosova rrezikoi edhe dy herë të tjera në 15 minutat e mbetura, me anë të Edon Zhegrovës, goditjen e të cilit e ndali shtylla. Në fund të pjesës së parë, një rast mjaft të volitshëm pati edhe Vedat Murriqi, por pa e gjetur dot rrugën e rrjetës. Pjesa e parë mbyllet kështu me epërsinë e vendasve, ndërsa e dyta ka nisur keq për Kosovën. Në rastin e parë të mirë Malta arriti të konkretizojë për të barazuar shifrat, 1-1.
Ishte Agius që shënoi golin e barazimit me kokë pas krosimit nga Failla në minutën e 51-të. Megjithatë, 17 minuta më pas, Kosova është kundërpërgjigjur, duke rigjetur epërsinë. Është Valdet Murriqi ai që shënoi golin e dytë për Kosovën në minutën e 68-të. Ndërkaq, kauza e miqve bëhet më e vështirë dy minuta më pas, sepse, përveç disavantazhit të golave, do të mbetet me 10 lojtarë, pas ndëshkimit me karton të kuq të Mifsudit.
9 minuta para fundit, Kosova do të gjejë edhe golin e 3-të, dhe Kololli do të firmosë dygolëshin e dytë në këtë takim, duke përfituar nga një pasim i Milot Rashicës. Përfundimisht, Kosova fiton me rezultatin 3-1, duke korrur fitoren e dytë në 3 takimet e para, ndërsa ruan kreun e renditjes me 7 pikë, dy më tepër sesa Azerbajxhani, ndërsa të dielën do të luajë në fushën e Ishujve Faroe.