AlbanianSport.com 10.10.2015 17:10
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka fituar miqësoren kundër Guinesë Ekuatoriale me rezultatin 2-0. Kosova e filloi takimin shumë mirë, duke kaluar në epërsi qysh në minutën e dytë përmes Mërgim Brahimit, i cili plasoi një goditje të mirë brenda zonës së kundërshtarit.
Tereni jo dhe aq i përshtatshëm nuk i pengoi djemtë e trajnerit Albert Bunjaku që të bëjnë një paraqitje shumë të mirë. Ndërkohë, në minutën e 39-të, përfaqësuesja afrikane, mbeti me një lojtar më pak në fushë, pasi me karton të kuq u ndëshkua Mbelle, duke ia lehtësuar kështu punën Kosovës.
Edhe pjesën e dytë, Kosova e nisi mjaft mirë, duke shënuar edhe golin e dytë, përsëri përmes Brahimit, i cili në mënyrë mjeshtërore dërgoi topin në rrjetë në minutën e 47-të. Ndërkohë, në minutën e 76-të, barazohen forcat në fushën e lojës, pasi Liridon Latifi ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë në këtë takim dhe del me karton të kuq.
Përkundër numrit të njëjtë të lojtarëve në fushë, Guinea Ekuatoriale nuk arriti që të gjejë as golin e ngushëllimit, duke bërë kështu që takimi të përfundojë me rezultatin 2-0 në favor të Kosovës.