Nga Moral Pozhegu (Zëri) 06.01.2016 14:35
Një shtet i vogël midis Evropës, por i lodhur dhe i rraskapitur nga luftërat dhe sundimtarët e po ashtu, i izoluar në katër anët. Por, as helmi i bombave dhe i barutit nuk pati çka t’i bëjë kësaj toke pjellore të sportistëve të mëdhenj. Kështu mund të përshkruhet Kosova, të cilën mezi e pranoi bota sportive në gjirin e vet, shkruan e përditshmja “Zëri”.
Dhe, organizatat ndërkombëtare nuk gabuan. Përkundrazi, me Kosovën anëtare, vlera e tyre shënon rritje. Mjafton t’i përmendim dhe t’i kujtojmë legjendat e kohëve më të vështira, që dolën nga toka e Kosovës, për t’u siguruar se ndërkombëtarizimi do të sjellë edhe plot të tjerë dhe shumë më lehtë. T’i kujtojmë legjendarët sipas rendit alfabetik.
Këtë shkrim të së përditshmes kosovare “Zëri”, AlbanianSport.com do t’jua sjellë në 3 pjesë dhe sot është pjesa e dytë.
… Vijon nga dje
Fadil Vokrri
Konsiderohet si futbollisti më i madh i të gjitha kohëve në Kosovë. E udhëhoqi Prishtinën drejt lavdisë, duke luajtur në Ligën e Parë të ish-Jugosllavisë, ndërsa më pas e shkroi historinë edhe te Partizani. Gjithashtu, ishte për një kohë të shkurtër edhe pjesë e përfaqësues së ish-Jugosllavisë. Luajti edhe në Turqi, me Fenerbahçen, por edhe në Francë, ku jetoi më pas për një kohë të gjatë. Konsiderohet si “Mesi” shqiptar. Aktualisht, është kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës.
Granit Xhaka
I bëri krenarë shqiptarët në përgjithësi, por edhe zviceranët, duke e fituar Botërorin e Nën-17-vjeçarëve me përfaqësuesen helvete. Që nga ajo kohë, Granit Xhaka pritej të bëhej lojtar i madh. Dhe, kështu doli. E nisi me Bazelin, për të vazhduar më pas me Borusian e Mënshengladbahut. Me “Zvicrën e madhe” mori pjesë në Botërorin e Brazilit vjet, duke shënuar madje edhe gol. Paraqitjet mbresëlënëse të viteve të fundit kanë bërë që mesfushori organizator të bjerë në sy të Bajernit të Mynihut, por edhe Barcelonës. Graniti e ka karrierën përpara. Ai mund të arrijë edhe më tepër.
Haxhi Krasniqi
Po i ndjek me sukses hapat e kushëririt të tij, Luanit. Haxhi Krasniqi është momentalisht boksieri më i madh që ka Kosova. 27-vjeçari ishte bërë kampion i Evropës në versionin WBO në vitin 2011, por nuk u ndal me kaq. Në vitin 2012 e kërkoi edhe titullin botëror në WBO, por fatkeqësisht nuk ia doli, pasi pësoi humbje nga Nejtën Kleverli. Junikasi punoi fort për ta pasur edhe një mundësi të dytë dhe ajo i erdhi, duke luftuar përsëri për titull të kampionit të botës, kësaj radhe në versionin WBA, por Haxhiu ishte i pafuqishëm përballë gjermanit Jurgen Brahmer. Mirëpo, boksieri kosovar, i cili e përfaqëson “në letër” Gjermaninë, është duke e kërkuar mundësinë e tretë, të cilën, ka premtuar se nuk do ta lëshojë. Ai synon të bëhet kampioni i parë botëror shqiptar i boksit.
Lah Nimani
Nëse përmendet termi trajner, atëherë secilit i shkon mendja te legjendari dhe i pavdekshmi Lah Nimani. Ishte boksier, por më shumë la gjurmë si trajner. Ushtroi boksierë të mëdhenj në atë kohë, përfshirë këtu Aziz Salihun, Mehmet Bogujevcin, Xhevdet Pecin, Nazif Gashin e Bajram Hashanin. Gjithashtu, e fitoi medaljen e artë olimpike si trajner në Moskë, me boksierin serb, Sllobodan Kacar. Thjesht, një legjendë.
Lorik Cana
Nuk ka shqiptar që nuk e admiron. Luan në fushë dhe patriot jashtë saj. Lorik Cana e ka bërë për vete tërë popullin e tij, për “lidershipin” e lindur që e posedon. I rritur në Zvicër, nga një familje që emigroi për një jetë të mirë, duke u larguar nga lufta që po niste në Kosovë, Cana e gjeti veten si është më së miri në sport. Luajti në klube të njohura si Paris SG-ja, Olimpiku i Marsejës, Sandërlendi, Gallatasaraji e Lacio, ndërsa hëpërhë është pjesë e Nantës. Mirëpo, suksesin më të madh e arriti me Kombëtaren shqiptare, me të cilën u kualifikua në Kampionat Evropian, për herë të parë në histori. Cana ka hyrë tashmë në histori. Në “Francë 2016”, ai me shokë do të mundohen të shkojnë sa më larg.
Luan Krasniqi
Konsiderohet si njëri prej boksierëve më të mëdhenj të Kosovës. Ishte kampion i Evropës në peshat e rënda, por edhe sfidues i kampionit të botës në versionin WBO. Mori pjesë në Olimpiadën e vitit 1996 dhe e fitoi medaljen e bronztë me Gjermaninë. Ishte kampion i shumëfishtë gjerman, por edhe kampion interkontinental në versionin WBO, të cilin e kishte fituar në vitin 2007. Mirëpo, në luftën e karrierës, ose më mirë të themi të jetës, nuk ia doli dot. Ishte shumë afër të shpallej kampion bote në versionin WBO, por u dorëzua pak para fundit në duel me Lejmon Brjuster. Në total i pati 35 meçe, prej tyre i fitoi 30, 4 i humbi dhe një përfundoi në barazim. Edhe pse e ka mbyllur karrierën qe një kohë, 44-vjeçari mbetet i paharrueshëm për shqiptarët, për emocionet që ua ka dhuruar.
Linku origjinal: http://zeri.info/sport/70080/toke-pjellore/