Nga Moral Pozhegu (Zëri) 05.01.2016 20:35
Një shtet i vogël midis Evropës, por i lodhur dhe i rraskapitur nga luftërat dhe sundimtarët e po ashtu, i izoluar në katër anët. Por, as helmi i bombave dhe i barutit nuk pati çka t’i bëjë kësaj toke pjellore të sportistëve të mëdhenj. Kështu mund të përshkruhet Kosova, të cilën mezi e pranoi bota sportive në gjirin e vet, shkruan e përditshmja “Zëri”.
Dhe, organizatat ndërkombëtare nuk gabuan. Përkundrazi, me Kosovën anëtare, vlera e tyre shënon rritje. Mjafton t’i përmendim dhe t’i kujtojmë legjendat e kohëve më të vështira, që dolën nga toka e Kosovës, për t’u siguruar se ndërkombëtarizimi do të sjellë edhe plot të tjerë dhe shumë më lehtë. T’i kujtojmë legjendarët sipas rendit alfabetik.
Këtë shkrim të së përditshmes kosovare “Zëri”, AlbanianSport.com do t’jua sjellë në 3 pjesë dhe sot është pjesa e parë.
Ardian Kozniku
Kur bëhet fjalë për Kampionat Botëror, të gjithëve na shkon mendja tek Ardian Kozniku. Është shqiptari i parë që ka marrë pjesë në këtë eveniment madhështor. Edhe pse nuk e shijoi asnjë minutë, sulmuesi gjakovar mori pjesë me Kroacinë në Botërorin 1998, duke e fituar medaljen e bronztë. E nisi karrierën te Vëllaznimi, për të kaluar më pas shkurt te Prishtina. Karrierën, kryesisht e kaloi në Kroaci dhe Francë, por luajti edhe në Qipro dhe Austri, ndërsa është i veçantë, pasi luajti për dy rivalët më të mëdhenj kroatë, Hajduk Split dhe Dinamo Zagreb. Sot, është i dashur për tifozët e të dyja klubeve. Një kohë ishte kryetar i Federatës së Kërcimeve në Ujë në Kroaci. Momentalisht është trajner futbolli.
Azem Maksutaj
Kosova njihet më shumë për aftësitë e sportistëve në sportet luftarake. Njëri prej tyre ishte edhe kikboksieri Azem Maksutaj, i cili në kohën e tij ishte i pakonkurrueshëm. 40-vjeçari ishte “kampion” i Evropës dhe i botës në kategorinë 77 kilogramë. Ai i ndërroi shpesh versionet, duke e fituar brezin e artë thuajse në secilin prej tyre. Azemi shquhej për shkathtësitë e jashtëzakonshme teknike, të cilat ishin fatale për kundërshtarët. Maksutaj, i cili e kishte përfaqësuar Zvicrën, i kishte fituar 14 tituj botërorë në divizione të peshave të ndryshme, ndërsa e la sportin në vitin 2010, me qindra fitore në llogarinë e tij. I papërsëritshëm.
Aziz Salihu
Është zgjedhur sportisti i shekullit, madje me plot meritë. Aziz Salihu konsiderohet si krenaria e shqiptarëve. Një boksier i pathyeshëm në kohën e tij. Ish-Jugosllavia ishte e vogël për të dhe shkoi edhe më larg, duke i matur forcat me boksierë të njohur amerikanë dhe rusë. E përfaqësoi ish-Jugosllavinë në Olimpiadën e Los Anxhelesit, Kaliforni, në vitin 1984 dhe u bë sportisti i parë nga Kosova që fiton medalje. Doli i treti dhe e mori të bronztën. Mori pjesë gjithashtu edhe në Olimpiadën e Moskës në vitin 1980 dhe në atë të Seulit, Kore e Jugut, në vitin 1988. “Zizi” gjatë karrierës i kishte mbi 500 meçe zyrtare dhe i kishte pësuar vetëm 26 humbje. Gjithashtu, fitoi edhe medalje të ndryshme në evenimente tjera të rëndësishme, raporton Zëri.
Besnik Hasi
Shqiptarët nuk e harrojnë asnjëherë Besnik Hasin. Kapiten për një kohë të gjatë i Kombëtares shqiptare, gjakovari bëri karrierë jashtë vendit. U bë legjendë e Anderlechtit për atë që dha si futbollist, një mesfushor me tipare sulmuese, mjaft cilësor. Gjithashtu, e shkroi historinë e shqiptarëve, duke u bërë trajneri i parë që e udhëheq një klub të madh si Anderlehti. Me klubin mbretëror belg mori pjesë edhe në Ligën e Kampionëve, si lojtar dhe trajner. I rrallë.
Elvir Muriqi
Përpos Evropës, Kosova i kishte gjithmonë djemtë e saj edhe përtej Atlantikut. Ai që ia zbardhi më së shumti fytyrën ishte Elvir Muriqi. Boksieri pejan ishte i tmerrshëm për kundërshtarët në kohën e vet, duke i fituar 40 meçe, ndërsa i ka humbur 7. Ishte shumë pranë titullit të kampionit botëror, por ishte mposhtur nga Antonio Tarver, në luftën për brezin e artë të versionit IBO. Është 36 vjeç dhe ende nuk është tërhequr nga ringu, por, me ato që i ka arritur deri tash, “The Kosovo Kid” ka hyrë në mesin e sportistëve më të mëdhenj që ka pasur ndonjëherë Kosova.
Vijon nesër…
Linku origjinal: http://zeri.info/sport/70080/toke-pjellore/