AlbanianSport.com 04/02/2019 17:30
ASNN – Klube si Barcelona, Milan e Lacio kishin shfaqur interesimin e tyre për sulmuesin e talentuar të përfaqësueses së Kosovës, Edon Zhegrova. Futbollisti i cili ishte pjesë e Genkut në kampionatin belg, ka bërë më në fund lëvizjen e tij, duke kaluar në Zvicër, tek klubi i njohur i Bazelit, tek skuadra ku luajnë dy futbollistë me origjinë shqiptare, Taulant Xhaka dhe Albian Ajeti.
I pari pjesë e përfaqësueses së Shqipërisë e tjetri i përfaqësueses së Zvicrës. Zhegrova, i quajtur ndryshe edhe “Mesi i Kosovës”, vetëm 19-vjecar, kalon tek Bazeli në formë huazimi për 18 muaj, me të drejtë blerjeje pas kësaj periudhe. Largimin nga Belgjika e ka lajmëruar vetë klubi i Genkut nëpërmjet një komunikate për shtyp, ndërsa në Zvicër lojtari do të tentojë të luajën më shumë dhe të ketë një mundësi të shpërthejë.
“KRC Genk ka arritur një marrëveshje me klubin zviceran, FC Bazelin, për transferimin e Edon Zhegrovës. Baseli e ka marrë në huazim Zhegrovën për një vit e gjysmë me opsion blerjeje pas kësaj periudhe. 19-vjeçari kosovar luajti 12 ndeshje këtë edicion me KRC Genk. Ai shkon në Zvicër me qëllim që të ketë më shumë mundësi aktivizimi. Paç fat Edon!”, shkruhet në njoftimin e klubit të Genkut të shpërndarë për mediat.