AlbanianSport.com 24/05/2019 13:50
ASNN – Mungesa e garancisë për përfaqësimin me simbole shtetërore, IHF-ja, drejt vendimit drastik. Kosova është shndërruar në makthin e Spanjës, e cila në fakt është një nga vendet evropiane që i ka bërë qëndresën më të madhe njohje së saj në aspektin sportiv. Pak muaj pasi UEFA i ka hequr Spanjës të drejtën e organizimit të ndeshjeve të një grupi eliminator për shkak të Kosovës, tanimë radha ka qenë e hendbollit. Kosova është tanimë një realitet i prekshëm dhe i pamohueshëm, edhe sportiv, dhe kushdo që mendon se mund ta injorojë atë, e paguan.
Dhe rastet vetëm sa vijnë e shtohen. Rasti më i fundit është ai që ka ndodhur në hendboll, ku Federata Botërore (IHF) ka paralajmëruar Spanjën se do t’i merret kampionati nëse nuk respektohen simbolet e Kosovës. IHF-ja ka reaguar menjëherë pas letrës që i ka dërguar Federata e Hendbollit të Kosovës (FHK), lidhur me diskriminimin gjatë ceremonisë së shortit për Botërorin e të rinjve, që mbahet në korrik në Spanjë.
Spanjollët në ceremoninë e shortit nuk kanë shfaqur flamurin e Kosovës, por e kanë paraqitur Kosovën me emblemën e FHK-së. Reagimi i Federatës së Kosovës ishte i menjëhershëm dhe i ashpër dhe IHF-ja nuk ka qëndruar duarkryq. Në një letër që drejtuesit e IHF-së ka dërguar të enjten në adresë të FHK-së, është bërë e qartë që Spanjës do t’i merret e drejta e organizimit të kampionatit botëror nëse nuk garanton se flamuri dhe himni i Kosovës do të shfaqen gjatë kësaj ngjarje të madhe.
Autoritetet spanjolle kanë afat deri në fillim të qershorit të japin këtë garanci. Nëse kjo nuk ndodhë atëherë kampionati botëror do të mbahet në një vend tjetër. Ky rast vjen pak muaj pasi në futboll, ku UEFA i ka hequr Spanjës të drejtën e organizimit të ndeshjeve të një grupi eliminator për shkak të Kosovës. Ndeshjet e turit “Elitë” të grupit të 5-të të Kampionatin Evropian 2019 për Nën-17-vjeçarët, që parashikoheshin të zhvilloheshin në Spanjë, u luajtën në Zvicër.