AlbanianSport.com 03.09.2017 17:55
ASNN – Kosova është mundur me rezultatin minimal, 0-1 përballë Kroacisë të dielën, në takimin që në fakt kishte nisur të shtunën në mbrëmje, por u ndërpre për shkak të shirave të rrëmbyeshëm që e bënë fushën të papërshtatshme për lojë.
Sikundër u vendos edhe të shtunën në orët e vona të mbrëmjes, ndeshja ka vazhduar aty ku ishte ndërprerë në minutën e 23-të të saj. 22 minutat e mbetura nuk kanë prodhuar gola dhe skuadrat u drejtohen dhomave të zhveshjeve me rrjeta të paprekura.
Edhe në pjesën e dytë, Kosova, e cila ishte mundur 0-6 nga Kroacia në sfidën e parë në Shkodër, ka rezistuar, por vetëm deri 16 minuta para fundit të kohës së rregullt, kur Vida ka gjetur rrugën e rrjetës për vendasit.
Ky gol u ka mjaftuar kroatëve të marrin fitoren dhe 3 pikët që i ngjisin në krye të renditjes së grupit I, me 16 pikë, dy më tepër sesa Ukraina dhe 3 më tepër sesa Islanda. Kosova mbyll renditjen, me 1 pikë të vetme të marrë në këto 7 sfida.