AlbanianSport.com 04.02.2017 18:45
ASNN – Një pankartë me shkrimin “Kosova është Serbi” është shfaqur sot në stadiumin e Tvente Enshedes në përballje me Fejënordin në javën e 21-të të nivelit më të lartë të kampionatit të futbollit në Holandë, që njihet si Eredivisie.
Bersant Celina, futbollisti i Kosovës që luan për Tventen, por këtë herë ndoqi ndeshjen nga tribuna, reagoi ndaj këtij pankarta duke thënë “Jo, Kosova nuk është Serbi”. Kjo pankartë u shpalos nga tifozët e Tventes.
Por, në fund të videos së publikuar nga Celina, shihet se ajo është hequr. Sipas mediave holandeze, largimi i pankartës u bë pas kërkesës së Celinës, që ka shprehur zhgënjimin ndaj tifozëve të Tventes.
Ndërkohë, klubi i njohur holandez ka reaguar në lidhje me këtë incident. Ky baner pati zgjuar edhe reagimin e sulmuesit kosovar të Tventes, Bersant Celina, ndërsa tani ka reaguar edhe vetë klubi.
“Sot pasdite, pas atmosferës së mrekullueshme nga “Ultras Block P”, u pa një pankartë, në të cilën shkruhej “Kosova është Serbi”, – shkruante klubi në një komunikatë të shkurtër për shtyp.
“Pankarta të tilla nuk përkojnë me një stadium futbolli. Tvente është duke hetuar se si dhe kush është përgjegjës për këtë ngjarje”, – përfundonte reagimi i klubit, që shton se pas diskutimeve me të gjitha palët, kjo pankartë është hequr.