AlbanianSport.com 12.02.2016 18:45
ASNN – Kosova mund të pranohet në UEFA më herët nga ç’ishte menduar fillimisht. Në Kongresin e radhës, atë të 25 shkurtit, i cili është jashtëzakonshëm, pasi i rregullti duhej të mbahej me 3 maj, organizmi që qeveris futbollin kontinental do të shqyrtojë propozimin për pranimin e Kosovës si anëtare e plotë, bën të ditur televizioni serb, B92.
Federata Kosovare e Futbollit (FFK) ka aktualisht kufizime në paraqitjen e saj në arenën ndërkombëtare të futbollit, pasi në janar të vitit 2014, FIFA e pati lejuar përfaqësuesen e Kosovës të zhvillojë takime miqësore ndërkombëtare, por pa shpalosur simbolet e saj shtetërore.
Në rast se UEFA e pranon Kosovën si anëtare me të drejta të plota, përfaqësuesja e Kosovës do të mund të marrë pjesë në Eliminatoret e Kampionatit Botëror “Rusia 2018”, dhe klubet kosovare mund të debutojnë në veprimtaritë evropiane, në Ligën e Kampioneve dhe në Ligën e Evropës.