AlbanianSport.com 02/05/2020 21:40
ASNN – Vazhdon efekti “domino” në kalendarin sportiv ndërkombëtar dhe të shtunën janë marrë vendime tjera për shtyrje të ngjarjeve sportive për shkak të epidemisë së koronavirusit, që ka shpërthyer në shkallë globale. Kështu, është shtyrë Kampionati Evropian i Çiklizmit të Rrugës, që ishte programuar të mbahej në shtator në provincën e Trentinos në Itali.
Unioni Evropian i Çiklizmit (UEC), ka njoftuar se e ka shtyrë këtë veprimtari për një vit. “Për shkak të situatës së vështirë që ka prekur gjithë botën, Kampionati Evropiani i Çiklizmit të Rrugës, që supozohej të mbahej nga data 9, deri më 13 shtator 2020 në Trentino, do të shtyhet për vitin 2021 dhe do të mbahet në të njëjtin qytetin”, – thuhet në njoftimin e organizmit që qeveris dyrrotakët kontinentalë.
Ngjarjet madhore të çiklizmit janë shtyrë mimimalisht deri më 1 gusht 2020, ndërsa edicioni i 107-të i “Turit të Francës”, gjithashtu i shtyrë nga pranvera në vjeshtë, pritet të mbahet nga 29 gushti, deri më 20 shtator 2020. Po të shtunën është mësuar se janë anuluar të gjitha veprimtaritë dhe turnetë e pingpongut, që ishin programuar të mbahen deri në fund të korrikut.
“Periudha e pezullimit të të gjitha ngjarjeve të Federatës Ndërkombëtare të Pingpongut (ITTF), është zgjatur deri në fund të korrikut të vitit 2020, – thuhet në njoftimin që qeveris sportin e topit të vogël në botë. – Situata po ndiqet nga afër për një rifillim të mundshëm të veprimtarive dhe turneve në gusht të vitit 2020.” Siç dihet, epidemia e koronavirusit ka shkaktuar një pështjellim total në kalendarin sportiv ndërkombëtar.
Viktimat më të bujshme kanë qenë padyshim Lojërat Olimpike të Tokios, që janë shtyrë për një vit, për herë të parë në histori në kohë paqeje, por edhe Evropiani i 2020-ës në futboll, gjithashtu i shtyrë për në 2021-shin. Të tjera veprimtari të shtyra janë Turneu i “Uimbëlldon”-it në tenis, por edhe i gjithë sezoni i Formulës 1 dhe Moto GP-së, që ende nuk dihen nëse do të zhvillohen apo kur mund të nisin.