AlbanianSport.com 11/04/2020 16:05
ASNN – Edhe pse ishte raportuar fillimisht se nuk kishte të prekur nga koronavirusi në gjirin e familjes së futbollit, tanimë duhet se gjërat kanë ndryshuar. Sikundër ka ndodhur me futbollin evropian, por edhe atë botëror, ky virus është futur edhe në botën e futbollit, ku po regjistrohen disa raste të prekurish. Edhe në futbollin shqiptar, janë 3 raste të prekurish nga “COVID-19”, çka është pranuar nga vetë presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF Armand Duka.
Ky i fundit në një prononcim të dhënë për një emisionin televiziv shqiptar, është shprehur se janë 3 raste të prekurish nga bota e futbollit në Shqipëri, emrat e të cilëve nuk pranoi t’i thotë, ndonëse dihet se një nga këta ka qenë pjesëtari i FSHF-së, Florian Riza. Sipas Dukës dy nga këta të infektuar e kanë kaluar virusin, ndërsa një tjetër vazhdon të përballet me këtë virus. “Ne kemi krijuar një rrjet për të marrë informacione nga të gjithë, jo nga vetëm zyrtarët e futbollit, por edhe nga skuadrat”, – ka thënë Duka
“Nga informacionet që kemi, janë 3 raste që kanë rezultuar pozitivë, dy prej të cilëve e kanë kaluar virusin dhe tashmë janë negativë, ndërsa njëri po vazhdon të jetë i infektuar, – ka vijuar kreu i organizmit që qeveris futbollin shqiptar. – Emrat? Një është Flori Riza dhe dy të tjerë që nuk ka rëndësi të them emrat. Janë nga bota e futbollit në vend.”