AlbanianSport.com 14/02/2020 19:15
ASNN – Organizatorët e Lojërave Olimpike “Tokio 2020”, theksojnë edhe njëherë se nuk kanë aspak ndër mend të heqin dorë nga kjo veprimtari për shkak të koronavirusit, duke i quajtur të papërgjegjshme thashethemet që janë përhapur për këtë fakt. Kur kanë mbetur edhe 161 ditë, deri në ceremoninë e hapjes, janë ngritur shqetësime në lidhje me zhvillimin e Lojërave në Japoni, pasi virusi është përhapur në të gjithë Azinë. Por kreu i Komitetit Organizator të “Tokio 2020”, Joshiro Mori hodhi poshtë shqetësimet e tilla në një takim me zyrtarë të lartë të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.
“Sa i përket koronavirusit, ka shumë thashetheme të papërgjegjshme, por unë do të doja ta sqaroja përsëri se ne nuk po mendojmë të shtyjmë ose anulojmë Lojërat, – tha ai. – Ne do të koordinohemi me qeverinë vendore, dhe do të veprojmë në një mënyrë të qetë.”. Virusi ka detyruar tashmë anulimin e një varg ngjarjesh sportive në Azi, përfshirë turnetë olimpikë të kualifikimit për boksin dhe basketbollin, të dy të planifikuar për t’u mbajtir në Kinë. Çmimi i Madh i Formula 1 i Shanghait është shtyrë, edhe gara e Vietnamit është në dyshim.
Por guvernatorja e Tokios, Juriko Koike ka premtuar të zbatojë “masa të plota” për të mbrojtur njerëzit nga koronavirusi në prag të Lojërave Olimpike. Japonia nuk ka parë ende asnjë vdekje nga koronavirusi, por ka 28 raste në tokën e saj, me 4 në gjendje të rëndë në spital. Kryetari i Fshatit Olimpik, Saburo Kauabuçi, tha në takim se “nuk ka ende të dhëna se kur do të zgjidhet problemi i virusit”, duke shpresuar në rritjen e lagështisë për të shkatërruar sëmundjen. “Ne kemi sezonin me shi që mund të mposhtin virusin”, – tha ai.