AlbanianSport.com 14.02.2015 17:15
Për Korabin tashmë kanë mbërritur ndihma nga shqiptarët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu ka deklaruar drejtori i klubit të futbollit dibran, Sokol Muho, ndërsa i ka uruar gjithë të mirat shqiptarëve kudo që jetojnë, teksa i ka shprehur mirënjohjen e tij për ato që kanë dhënë për skuadrën dibrane, e cila është kryesuese e grupit të Veriut në Kategorinë e Dytë.
“Tani në prag të fillimit të fazës së dytë të kampionatit na ka ardhur një ndihmë e veçantë nga shqiptarët e Amerikës, ndërsa promotori i ndihmës financiare për skuadrën tonë është bërë Naim Agolli, – ka deklaruar ai. – Në rastin më të parë ne do të bëjmë të ditur dhe listën e sponsorizuesve, ndërsa në emër të klubit të futbollit Korabi i shprehim mirënjohje të gjithë atyre që na ndihmojnë.”
“Dhe me këtë rast uroj dhe skuadrën që të arrijë objektivat e saj, që është dalja në Kategorinë e Parë”, – ka përfunduar kreu i klubit dibran, Sokol Muho. Ndërkohë skuadra dje është grumbulluar në Peshkopi, atje ku për një javë do të përgatitet për ndeshjen e parë të fazës së dytë me Sukthin. Për të mbyllur periudhën përgatitore dimërore të dielën skuadra do të udhëtojë drejt Maqedonisë.
Atje ajo do të ndeshet me skuadrën e Dibrës së Madhe. Dhe më pas gjithçka do të jetë për ndeshjen me Sukthin.