AlbanianSport.com 04.01.2015 17:55
ASNN – Edhe tek Korabi ka pasur pakënaqësi mes portierëve. Që pas miqësores me Kamzën, luajtur përpara dy javësh në Pezë-Helmës, dibranët kanë pasur mes shtyllave titullar Erikson Agën. Kjo ka bërë që Livani së bashku me familjarët e tij të kërkojë sqarime tek drejtuesit e Korabit. Por të shtunën ai ka qenë titullar në miqësoren me Dinamon, teksa dibranët u mundën 0-4. Dhe vetvetiu që nga e hëna, portieri që ka 720 minuta pa pësuar gol nuk është më pjesë e Korabit.
Kaq ka mjaftuar që tifozët dibranë të kërkojnë sqarime tek presidenti Mziu, i cili nëpërmjet faqes së “Facebook”-ut të klubit të shpjegojë gjithçka që lidhet me largimin e të talentuarit Livani. “Korabi është i të gjithëve dhe së bashku do ta çojmë në Kategorinë e Parë, – ka shkruar ai. – Vlerësoj tifozerinë dhe kontributin e çdo lojtari të Korabit. Ju lutem mos fusni përçarjen në ekip. Faleminderit për mirëkuptimin. Ky status i dedikohet tifozërisë së Korabit dhe të gjithë sportdashësve dhe simpatizantëve të futbollit dibran.”
“Kam marr me dhjetëra mesazhe që më vendosin përpara përgjegjësisë dhe pyetjeve pafund për largimin e portierit Mani Livani, – ka vijuar kreu i klubit verilindor. – Gjithmonë jam përpjekur të bëj maksimumin për ekipin edhe kur isha larg, sidomos këto kohë që jam në krye si president. Kam qenë gjithmonë në kërkim të blerjeve të reja për të përforcuar ekipin dhe konsoliduar atë në mënyrën më të mirë. Madje kam ngritur zërin në kërkim të donatorëve të rinj për ekipin, sepse Korabi është i të gjithëve.”
“Mani Livani është ndër futbollistët për të cilët ruaj respekt maksimal dhe kjo për të gjithë kontributin që ai ka dhënë në fazën e parë për ekipin, – ka pohuar Mziu. – Livanin e vlerësoj jo vetëm unë, por e gjithë Dibra. Sot shpreh keqardhjen për largimin e tij, por vlerësimin teknik e kanë në dorë trajnerët. Unë gjithmonë sjell talente në ekip dhe nuk i heq ato. Është një vendim i marrë nga Livani pas një problemi me stafin teknik, por s’mund të them i duhuri.”
“Pavarësisht kësaj ruaj respekt pafund për Livanin dhe gjithçka që i dha Korabit në këto muaj! Në fund më duhet t’i premtoj tifozërisë dhe sportdashësve që me disiplinë dhe harmoni në ekip do ta ngjisim Korabin në Kategori të Parë”, ka përfunduar presidenti i skuadrës dibrane të futbollit, Fehmi Mziu, ndërkohë që ende nuk ka një adresë të saktë të Livanit për një skuadër të re.