AlbanianSport.com 31.07.2016 13:30
ASNN – Kamza ka mundur dje pasdite minimalisht Korabin, në ndeshje miqësore të zhvilluar në kompleksin e ekipeve kombëtare. Ishte miqësorja e dytë për Korabin, që tashmë, mes shumë blerjeve, pretendon që jo vetëm të jetë gjatë në mes më të mirëve të futbollit shqiptar, por në të njëjtën kohë edhe të jetë më lart në renditje.
Po kështu ka ndërtuar një skuadër të tillë dhe Kamza, tashmë me objektivin për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore, ndërsa bashkëpunimi mes kryetarit të Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, me presidentin e Kamzës, Naim Qarri, është duke dhënë efektet e veta.
Një ndeshje miqësore që ka mbledhur tifozë, sidomos dibranët që janë të interesuar për skuadrën e tyre. Por në fakt në pjesën e parë kjo miqësore i ka kaluar kufinjtë, sepse janë ndëshkuar me kartonë të kuq Zguro i Korabit dhe Frashëri i Kamzës. Dhe pse e kanë përfunduar pjesën e parë me 10 futbollistë, në 45 minutat e dyta ka qenë Kamza ajo që ka gjetur rrugën e rrjetës.
Braho ka shfrytëzuar mirë 11metërshin e dhënë nga gjyqtari Dyrmishi dhe 1-0 për Kamzën, rezultat që do të qëndronte deri në fund. Korabi më parë kishte luajtur dhe një ndeshje miqësore me Internacionalin, të cilën e kishte fituar 5-0.
Kamza – Korabi 1-0
Shënues: Braho 54’(11-m.)
Kamza: Gjonikaj, Abraham, Frashëri, Ibrahimllari, Boçi, Deliallisi, Kaloshi, Mehmeti, Koleci, Rezi, Ymeri. Trajner: B. Devolli
Korabi: Vujadinoviç, Duriç, Sheta, Leills, Çela, Kaja, Veliaj, Meto, Zguro, Jubani, Zefi Trajner: A. Mergjyshi. U aktivizuan: En.Premçi, El.Premçi, Selimaj, Noko, Merdini, Mihani, Peposhi, Kiri, Mziu
Gjyqtarë: E. Dyrmishi, P. Puto, G. Cenolli (Tiranë)
Kartonë të kuq: Frashëri / Zguro