AlbanianSport.com 14.05.2015 16:10
ASNN – Korabi dhe Gramshi janë skuadrat fituese të grupeve përkatëse të Kategorisë së Dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, e që sezonin e ardhshëm do të luajnë në Kategorinë e Parë. Ndërkohë, në datën 24 maj 2015, këto dy ekipe do të luajnë përballë njëra-tjetrës për të përcaktuar skuadrën kampione të kategorisë së dytë.
Edhe pse kanë ende një ndeshje për të luajtur deri në mbyllje të sezonit aktual, Korabi dhe Gramshi janë dy ekipet që kanë siguruar të drejtën për të luajtur në Kategorinë e Parë për sezonin e ardhshëm. Korabi ka zënë vendin e parë në grupin A dhe Gramshi në grupin B në Kategorisë së Dytë në futboll.
Këto dy skuadra në datën 24 maj do të përballen me njëra-tjetrën për të përcaktuar skuadrën “kampione” të Kategorisë së Dytë. Korabi ka fituar me Albpetrolin ndeshjen e fundit që i dha mundësinë skuadrës dibrane të rikthehet në kategorinë e parë pas 53 vitesh.
Festimet në stadiumin e Peshkopisë kanë qenë të mrekullueshme. Flamuj gjigandë, fishekzjarre dhe brohorima i kanë shoqëruar skuadrat përgjatë gjithë 90 minutave të lojës. Me një histori 85 vjeçare, Korabi këtë sezon bëhet ekipi i rekordeve me 22 fitore dhe vetëm një barazim.
Me një rezultat të thellë 5-1 ka fituar Gramshi ndaj Gramozit në grupin B duke siguruar kështu kalimin në kategorinë e parë. Edhe për skuadrën gramshiote shifrat janë mbresëlënëse, 58 pikë, 18 fitore dhe katër barazime. Meritë për këtë kanë sigurisht trajneri Luan Metani, futbollistët, tifozët dhe presidenti Dritan Bici.