AlbanianSport.com 09.02.2017 16:40
ASNN – Ka marrë vetëm 11 në 20 ndeshje, por Korabi duket se jo vetëm që është skuadra me më pak pikë në Kategorinë Superiore, por edhe me më pak mbështetje. Të paktën kështu mendojnë dhe pretendojnë lojtarët dhe drejtuesit e skuadrës dibrane, të cilët po e kanë të vështirë që çdo gjë që mendojnë, pas padrejtësive që pretendojnë se po u bëhen në fushë, ta thonë nën zë.
Duke folur për “Top Channel”, shefi i Klubit të Futbollit “Korabi”, Fehmi Mziu, tha: “Nuk vazhdohet më kështu. Mos thonë pastaj që Korabi ka probleme apo Korabi shkakton dhunë. Ky është ultimatumi i fundit.” Gjithçka ka nisur pas deklaratës së trajnerit të tyre, Gert Haxhiu, pas ndeshjes me Skënderbeun, i cili në përfundim të takimit ku kundërshtarit iu dha një 11-metër i diskutueshëm, reagoi në një mënyrë të ashpër.
“E them me plot gojën që këta janë bastardë”, – pati thënë ai pas ndeshjes, duke iu referuar kryesisht gjyqtarëve. Një deklaratë e ashpër, por që trajneri vlonjat i Korabit i qëndron edhe 5 ditë më pas, teksa për televizionin në fjalë, nuk tërheq asgjë prapa dhe thotë: “Deklaratat që bëj, i bëj me ndërgjegje. Mund të duket emocionale, por jam i bindur për ato që kam thënë”.
Nëse drejtuesit e klubit janë këshilluar të mos mendojnë bojkotin e kampionatit, për të evituar ndonjë penalizim të mundshëm, kapiteni Mziu e ka të vështirë të përmbahet. “Edhe neve na kanë porositur që të mos reagojmë, por truri nuk mban, – pohon ai. – Kur e shikon që të bëhen padrejtësi gjithmonë, edhe ne do të shpërthejmë ndonjë ditë.” Natyrisht, niveli më i lartë i futbollit shqiptar ka presionin e tij, që shpërfaqet dukshëm tek Korabi.