AlbanianSport.com 30.12.2016 11:35
ASNN – Korabi ka ndryshuar disa herë shtëpi këtë sezon, teksa nga Stadiumi “Selman Stërmasi” i Tiranës, tek ai “Zeqir Ymeri” i Kukësit, u detyruan që ta përfundonin gjysmën e parë të sezonin në Fushën Sportive të Peqinit. Të ndodhur në pozita jo komode edhe në renditje, veriorët kanë nisur punën për të rikonstruktuar stadiumin e tyre në Peshkopi.
Ashtu siç bëhet e ditur në profilin zyrtar të Korabit në rrjetin social“Facebook”, intensiteti i punimeve do të vijojë të jetë i lartë, me qëllimin e qartë, për t’i luajtur në Peshkopi ndeshjet e dy fazave të mbetura. Mbetet për t’u parë nëse do të arrihet diçka e tillë, pasi koha është mjaft e kufizuar, duke pasur parasysh që faza e 3-të do të nisë me 21 janar 2016.
Drejtuesit e Korabit, përveç se nuk do të detyrohen më të kërkojnë një shtëpi për të zhvilluar ndeshjet si pritëse, presin që me tifozerinë e tyre të kërkojnë pikët e mjaftueshme për të siguruar qëndrimin mes më të mirave. Në luftë me kohën, por situatat që ju krijuan me stadiumet e Tiranës dhe Kukësit, i kanë shtyrë dibranët që të bëjnë një sforco financiare për të mos pasur më situata të tilla, jo të këndshme.