AlbanianSport.com 27/02/2022 18:40
ASNN – Ministrja e Jashtme, Xhaçka, bën të ditur masat dhe sanksionet, përshin edhe sportin. Shqipëria nuk do të pranojë të zhvillojë ndeshje sportive ndaj Rusisë. Ky është vendimi më i fundit i autoriteteve shqiptare, çka nënkupton se Kombëtarja kuqezi e futbollit nuk do të luajë kundër përfaqësues së Rusisë në përballjet e Ligës së Kombeve të Evropës.
Ndonëse Federata Shqiptare e Futbollit pret vendimin që do të marrë FIFA dhe UEFA në lidhje me këto ndeshje, Ministrja e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, Olta Xhaçka, në një komunikim zyrtar ka bërë të ditur se Shqipëria i bashkohet masave dhe sanksioneve të vendeve të tjera anëtare të BE kundër Rusisë për pushtimin e Ukrainës.
“Po ashtu, Shqipëria nuk do të marrë më pjesë në asnjë përballje sportive me Federatën Ruse deri në dhënien fund të pushtimit të Ukrainës”, – ka deklaruar ndër të tjera zyrtarja e lartë shqiptare. Kështu, Shqipëria i bashkohet vendeve si Polonia, Suedia, Republika Çeke apo Franca të cilat kanë konfirmuar zyrtarisht se nuk do të luajnë ndeshje futbolli ndaj përfaqësueses së Rusisë për sa kohë që vazhdonte pushtimi ushtarak i Ukrainës.
Sipas kalendarit të parashikuar, Shqipëria duhet të të luajë dy ndeshje të Ligës së Kombeve në muajin qershor ndaj përfaqësueses së Rusisë. E para është planifikuar më datë 2 qershor 2022 në “Arenën Kombëtare”, ndërsa e dyta është planifikuar në “VTB Arena” në Moskë më 13 qershor 2022.