AlbanianSport.com 22/02/2022 17:55
ASNN – UEFA pritet t’ia heqë së shpejti Shën Pjetërburgut të drejtën e organizimit. Finalja e Ligës së Kampioneve, sipas të gjitha gjasave, nuk do të luhet në Shën Pjetërburg, siç ishte parashikuar fillimisht. UEFA është pothuajse e sigurt që do ta largojë finalen e veprimtarisë më prestigjioze të këtij sezoni të klubeve të kontinent nga qyteti verior i Rusisë, si rezultat i zhvillimeve që përfshijnë po Rusinë dhe Ukrainën.
Me sanksionet kundër Rusisë që në dukje janë të pashmangshme nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Britanisë së madhe, ka shumë pak gjasa që organizmi që qeveris futbollin kontinental të tentojë të organizojë këtë eveniment madhor në Rusi. Organi drejtues i UEFA-s, Komiteti Ekzekutiv, kuptohet se po vlerëson situatën përpara se të marrë një vendim për këtë çështje, por është vendosur të kërkojë një vend të ri mikpritës.
Dy finalet e fundit të Ligës së Kampioneve u luajtën në Portugali për shkak të problemeve të shkaktuara nga epidemia e “Covid-19”-ës. Kryeministri Boris Xhonson, duke folur të martën në Parlament, ka deklaruar se “nuk ka shans që të mbahen turne futbolli në një Rusi që pushton vende sovrane”. Një numër politikanësh në Britaninë e Madhe, por edhe anembanë Evropës, kanë ngritur zërin në drejtim të UEFA-s, duke i bërë asaj thirrje që t’ia heqë menjëherë Shën Pjetërburgut finalen e Ligës së Kampioneve.
Ndeshja planifikohet të luhet në datën e caktuar, më 28 maj 2022, por UEFA po shqyrton qytete të tjera alternative. Një vendim përfundimtar pritet të merret në ditët në vijim.