AlbanianSport.com 12/03/2021 12:55
ASNN – Kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë një tjetërmiqësore në muajin qershor. Kuqezinjtë do të përballen me Republikën Çeke më datë 8 qershor 2021 në fushën e kësaj të fundit. Zyra e shtypit në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) bën me dije se të federatat përkatëse kanë rënë dakord për zhvillimin e kësaj ndeshjeje në kryeqytetin çek, Pragë, ndërsa ora e nisjes dhe stadiumi mbeten të përcaktohen në javët në vijim.
Kjo do të jetë ndeshja e dytë e përfaqësueses shqiptare brenda pak ditësh, teksa më 5 qershor 2021, kuqezinjtë do të sfidojnë Uellsin në ndeshjen që do të luhet në “Cardiff City Stadium” dhe do të nisë në ora 18:00. Kjo do të jetë ndeshja e parë e Shqipërisë me Republikën Çeke në histori. Në të kaluarën Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar 5 duele me ish-Çekosllovakinë, nga të cilat 3 miqësore dhe dy ndeshje të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian.
Më 17 shtator 1950, Çekosllovakia fitonte ndaj Shqipërisë 3-0 në miqësoren e luajtur në Pragë, ndërsa më 29 nëntor 1952, Kombëtarja fitonte 3-2 ndaj çekosllovakëve në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Qemal Stafa”. Golat për Shqipërinë u shënuan nga Zihni Gjinali, Qamil Teliti dhe Skënder Jareci. Vetëm pak ditë më vonë, më 7 dhjetor 1952, Shqipëria zhvilloi një tjetër ndeshje miqësore me Çekosllovakinë, duke triumfuar sërish me rezultatin 2-1 falë golave të Zihni Gjinalit dhe Loro Boriçit.
Dy përballjet e fundit mes Shqipërisë dhe Çekosllovakisë janë zhvilluar më 1 maj 1991, ku Kombëtarja jonë u mund nga çekosllovakët me rezultatin 0-2 në Tiranë, dhe e dyta, më 16 tetor 1991, me Çekollsovakinë që fitoi 2-1 ndaj Shqipërisë në Olomuc. Të dy takimet ishin të vlefshme për eliminatoret e Evropianit 1992. Në vitin 1993, Çekosllovakia do të shpërbëhej për të krijuar dy shtete, Republikën Çeke dhe Sllovakinë.
Që prej asaj kohe Shqipëria dhe Republika Çeke nuk janë përballur me njëra-tjetrën. Përfaqësuesja çeke drejtohet nga trajneri Jaroslav Shilhavij dhe aktualisht renditet në vendin e 42-të në klasifikimin e FIFA-s.