AlbaniaSport.net 26.03.2015 18:25
ASNN – Trajneri i Kombëtares, Xhovani De Biazi, ka bërë një provë gjenerale të skuadrës së tij në prag të ndeshjes së fundjavës me Armeninë, pasi kuqezinjtë kanë zhvilluar të enjten një ndeshje testuese me një ekip Nën-18-vjeçarësh. Kombëtarja ka fituar me rezultatin 2-0, me nga një gol të shënuar për secilën pjesë loje nga Memushaj dhe Lenjani.
Ndeshja Shqipëri-Armeni luhet të dielën, duke nisur nga 18:00 në Elbasan “Arena” dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Në përgatitje për ndeshjen e së dielës me Armeninë, Kombëtarja kuqezi ka zhvilluar të enjten në mbrëmje një ndeshje testuese me skuadrën e Nën-18-vjeçarëve të Akademisë së Futbollit, ku trajneri De Biazi ka patur shansin të provojë skemat e tij.
Kjo ndeshje e kontrollit u zhvillua me dy pjesë loje, nga 30 minuta secila. Ajo që ra në sy ishte mbajtja larg e kamerave, ndërsa, në mungesë të një tribune në fushën e lojës, por edhe për të krijuar një ide më të qartë për lojën, trajneri De Biazi ka gjetur një mënyrë interesante për ta ndjekur atë, duke qëndruar ulur mbi një kontejner nga ka parë nga afër ndeshjen.
Pjesa e parë e kësaj ndeshjeje testuese përfundoi me rezultatin 1-0 në favor të kuqezinjve, me gol të shënuar nga Ledion Memushaj. Duhet theksuar se që debutuesi me fanellën kuqezi, Naser Aliji, në këtë pjesë është aktivizuar si qendërmbrojtës. Në pjesën e dytë lojtarët e Kombëtares humbasin një 11-metërsh, por në fund shënon edhe Ermir Lenjani.
Vlen të theksohet se, në këtë ndeshje nuk u aktivizua për asnjë minutë mbrojtësi Mavraj, i cili, me shumë gjasa, nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e së dielës kundër Armenisë. Ndeshja Shqipëri-Armeni luhet të dielën, duke nisur nga 18:00 në Elbasan “Arena” dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.