AlbanianSport.com 28/05/2018 23:55
ASNN – Një ditë përpara ndeshjes miqësore, Kosovë-Shqipëri, trajneri Kristian Panuçi ka dalë në një konferencë për shtyp së bashku me dy futbollistët, Etrit Berisha dhe Elseid Hysaj.vFillimisht pyetjeve të gazetarëve, iu përgjigj trajneri kuqezi, i cili sqaroi edhe vlerësimin që i bën kampionatit shqiptar. “Kategorinë Superiore e ndjek thuajse çdo jave dhe kam nën vëzhgim të gjithë elementet që mund t’i shërbejnë kombëtares, – ka thënë ai. – Këtë herë ishte radha e Gurit, që ka bërë një sezon shumë të mirë, por lojtarë si ai dhe të tjerë, janë gjithmonë të mirëpritur, nëse paraqiten mirë.”
“Kemi një grup shumë të mirë, që shfaq seriozitet dhe përkushtim në punë, – ka vijuar italiani i stolit kuqezi. – Mendoj se kemi bërë një punë shumë të mirë dhe do të punojmë akoma më shumë, për të qenë gati në Ligën e Kombeve. Dua që në atë veprimtari të dalim të parët dhe i kemi të gjitha mundësitë për ta bërë këtë. Janë ata që duhet të më japin një mesazh mua. Unë ndjek çdo fundjavë të gjithë futbollistët shqiptarë dhe vlerësoj paraqitjet e tyre. Në fund bëj vlerësimet e mia dhe grumbulloj ata që janë më në formë dhe që më garantojnë paraqitje dinjitoze.”
“Në këtë kuptim, janë ata që duhet të më dërgojnë sinjale përmirësimi dhe forme të mirë, për t’i grumbulluar më pas, – ka theksuar ish-futbollisti i Milanit dhe Realit të Madridit. – Nesër është një ndeshje miqësore, ku si unë, ashtu edhe trajneri i Kosovës, kemi synim për të eksperimentuar dhe për të marrë sinjale sa më të mira, në kuadër të ndeshjeve të Ligës së Kombeve. Sa u përket talenteve të reja të futbollit, shqiptarët janë të ndarë në 3 shtete dhe unë kam emisarët e mi, me të cilët përpiqem t’i ndjek që të gjithë.”
“Më pas nëse shoh elementë të mirë, ju prezantoj thirrjen për t’iu bashkuar Shqipërisë, por zgjedhja u takon atyre. Duhet të jemi seriozë në atë që bëjmë dhe të japim maksimumin në çdo ndeshje. Verdiktin e jep fusha, por ne futemi gjithmonë në lojë për të fituar, ndonëse në lojë janë 3 rezultate. Për mua rëndësi ka të vlerësojmë maksimalisht çdo kundërshtar dhe të japim më të mirën, pastaj rezultati del disi në plan të dytë. Kemi zgjedhur dy kundërshtarë, një të fortë dhe një më pak të fortë, për të parë se si do të mund të luajmë në fushë”, – ka përfunduar trajnerit i Kombëtares, Kristian Panuçi.