Nga Adriatik Balla 25.10.2015 17:55
Duke iu referuar specialistëve, reparti i sulmit i Kombëtares ishte më pak efikasi për ekipin tonë përfaqësues në eliminatoret e grupit I për “Euro 2016”-n. Këtë e tregon dhe numri relativisht i paktë që shënoi skuadra jonë në këto eliminatore, gjithsej 7 gola në tetë ndeshje.
E vërteta është se skuadrës i figurojnë 10 gola të shënuar, por tre prej tyre i përkasin ndeshjes së fituar në tavolinë 3-0 ndaj Serbisë më 14 tetor të vitit 2014 në Beograd. Në ndeshjet e tjera, Shqipëria i ka shënuar një gol Portugalisë, një gol Danimarkës dhe 5 gola Armenisë.
Ndërsa mbrojtja ka pësuar 5 gola, një shifër relativisht e mirë, po të mendohet që skuadra jonë pësonte shumë gola në të shkuarën. Mesfusha ka qenë dominuese, sidomos me ndryshimet e shpeshta të lojtarëve dhe me eksperimentet e shumta, por dukshëm një repart që i ka dhënë impuls lojës së kuqezinjve.
Dhe kjo, veçanërisht pas angazhimit në Kombëtare të mesfushorit energjik Taulant Xhaka. Por sulmi mbetet problem dhe trajneri Xhovani de Biazi e di mirë këtë. Jo rastësisht ai kontaktoi me Rei Manajn pak ditë më parë, duke i bërë të qartë se do t’i japë një shans në përfaqësuese, duke nisur nga miqësorja e nëntorit kundër seleksionim të Kosovës. Manaj mund të sfidojë brenda pak muajve dyshen Cikalleshi-Balaj, të cilët, pavarësisht punës së mirë nuk kanë shënuar sa duhet.