AlbanianSport.com 13.06.2016 22:05
ASNN – Përfaqësuesja shqiptare e futbollit, ka vazhduar të hënën paradite me seancën e parë stërvitore, ndërsa në mbrëmje është zhvilluar edhe seanca e dytë. Ndryshe nga seanca e paradites, ku trajneri Xhovani De Biazi ka zhvilluar me futbollistët një stërvitje të lehtë, argëtuese, ku nuk ka munguar edhe humori midis njëri-tjetrit, ajo e pasdite ka qenë me ngarkesë të plotë dhe më e gjatë. Në fakt, ka qenë seancë tejet e rëndësishme ajo e pasdites së kombëtares.
Stërvitja e fundit në vendgrumbullimin e kuqezinjve, në Përró Girek, para ndeshjes me Francën i ka shërbyer De Biazit për të provuar formacionin që do të hedhë në fushën e Stadiumit “Velodrom”, për sfidën me “Les Blues” të homologut Didier Deshomp. Gjatë seancës së paradites trajneri ka preferuar të fokusohet te goditjet standarde në fazën sulmuese, duke i ushtruar futbollistët si në skemat e goditjeve të këndit ashtu dhe ato standarde.
Përballë një skuadre me nivel të lartë teknik janë pikërisht këto situata ku mund të përfitohet më tepër, dhe jo rastësisht të dy golat e shënuar ndaj Francës gjatë ndeshjeve në grupin e eliminatoreve kanë ardhur në goditje të tilla, kujtojmë këtu golin e Mavrajt pas një goditjeje këndi në Renë, dhe, natyrisht, dhe perlën e Ergys Kaçes në “Elbasan Arena”