AlbanianSport.com 07.09.2015 16:15
ASNN – Kombëtarja shqiptare në eliminatorët e Euro 2016 nuk ka rekord historik vetëm faktin që nuk ka asnjë humbje apo faktin që ka siguruar, për herë të parë, fazën e “play-off”-t për në Evropian. E gjithë kjo është realizuar edhe për një fakt tjetër interesant: mbrojtja solide. Shqipëria ka mbrojtjen e dytë më të mirë në Evropë. Vetëm dy gola të pësuar (një në barazimin 1-1 me Danimarkën dhe një në fitoren 2-1 me Armeninë) i rendisin kuqezinjtë si mbrojtja e dytë më e mirë në Europë.
Më mirë sesa “Cana me shokë” (reparti i mbrojtjes së Kombëtares) ka bërë vetëm Rumania, e cila ka pësuar vetëm një gol deri tani (kundër Hungarisë në barazimin 1-1). Pas Rumanisë, skuadra që gjendet në vendin e dytë në Grupin F dhe ka mbrojtjen më të mirë të Europës me vetëm një gol të pësuar, Shqipëria, Austria dhe Uellsi ndajnë vendin e dytë për statistikat e prapavijës më të mirë. Të tria këto skuadra kanë pësuar vetëm dy gola.
Fakti që Shqipëria ka luajtur dy ndeshje kundër Danimarkës, një kundër Portugalisë dhe një kundër Serbisë, tri skuadrave me lojtarë shumë cilësorë dhe ka këtë bilanc golash të pësuar, atëherë reparti i prapavijës që fillon me Berishën dhe më pas Cana, Mavraj, Ajeti, Gjimshiti, Hysaj, Agolli etj., meritojnë respekt. Kjo pa dyshim vjen edhe për shkak të shkollës italiane të futbollit “Koverçano”, nga e cila vjen trajneri ynë i Kombëtares, Xhovani De Biazi. Shkolla italiane e famshme që garanton mbrojtje solide.