AlbanianSport.com 31.05.2016 14:35
ASNN – Xhovani De Biazi do ta zbulojë në mbrëmje listën me 23 futbollisë, ndërsa rrezikojnë ata që janë grumbulluar rishtazi. Është vetëm çështje orësh dhe 27 lojtarët e grumbulluar nga italiani do të mësojnë se cilët prej tyre do të jenë pjesë e Kombëtares shqiptare që do të debutojë në “Euro 2016”.
Trajneri kuqezi bëri të ditur se do të vendosë për listën përfundimtare me 23 futbollistë vetëm pas seancës së fundit stërvitore të 31 majit. Në këtë mënyrë, sot në mbrëmje, De Biazi do të vendosë se kujt do t’i besojë e kujt jo në fazën finale të Evropianit që do të luhet në Francë.
Megjithëse italiani nuk ka zbuluar asgjë gjatë grumbullimit në Austri, duket se ka pak dyshime. Në intervistat e fundit, De Biazi ka theksuar shpesh herë se do të marrë me vete lojtarët që kontribuuan në kualifikimin historik dhe duke qëndruar në fjalët e trajnerit atëherë rrezikojnë lojtarët që janë thirrur rishtas në skuadrën kuqezi.