AlbanianSport.com 08.10.2016 12:30
ASNN – Shqipëria përballet të dielën me Spanjën dhe të dy ekipet përfaqësuese kanë mbërritur pak a shumë në të njëjtën kohë të premten në mbrëmje në aeroportin e Rinasit. Në fakt, iberikët mbërritën rreth orës 19:45, me disa minuta vonesë nga sa ishte parashikuar.
Shkak është bërë stuhia që përfshiu Shqipërinë në orët e mbrëmjes, e cila detyroi pilotët të bënin disa xhiro në ajër para se ta ulnin avionin në aeroportin “Nënë Tereza”. Fatmirësisht gjithçka kaloi pa pasoja. Ndonëse spanjollët e prekën të parët tokën shqiptare, në udhëtimin drejt Shkodrës, autobusit të tyre iu desh të ndiqte atë të Kombëtares kuqezi.
Sot pasdite do të jenë spanjollët ata që do të mbajnë fillimisht konferencën për shtyp dhe do të zbresin të parët për seancën e vetme stërvitore në Stadiumin e rindërtuar “Loro Boriçi”, për t’ia lënë më pas radhën kuqezinjve.
Ndërkohë, Policia e Shkodrës ka marrë një sërë masash për mbarëvajten e ndeshjes Shqipëri-Spanjë e cila do të luhet në orën 20:45 në stadiumin “Loro Boriçi”. Blutë e Shkodrës kanë kërkuar mirëkuptimin e sportdashësve që do të marrin pjesë në këtë ndeshje në respektimin dhe zbatimin e këtyre masave.