AlbanianSport.com 29.01.2016 17:55
ASNN – Kombëtarja shqiptare do të luajë kundër një skuadre, e cila do të marrë pjesë në “Euro 2016”. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka zbuluar se marrëveshja pret vetëm zyrtarizimin, ndërsa sfida do të zhvillohet më 26 mars 2016 jashtë Shqipërisë.
Kundërshtari i radhës për Shqipërinë në miqësoret e marsit do të jetë një skuadër pjesëmarrëse në Euro 2016. Konfirmimi vjen nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, sipas të cilit, marrëveshja me federatën tjetër pret vetëm zyrtarizimin dhe, për këtë arsye, nuk mund të bëjë publike emrin e skuadrës.
Por duke iu referuar detajeve të reja por edhe emrave të përfolur më parë, kombëtarja e Shqipërisë mund të luajë me një mes Kroacisë, Turqisë dhe Polonisë. Ndonëse orët e fundit, si kundërshtarja më e mundshme, ka dalë në sipërfaqe Austria. E sigurt është që ndeshja do të zhvillohet më 26 mars 2016 dhe jo në stadiumin e ri “Loro Boriçi”.
Ndërsa Federata Shqiptare po punon për gjetjen e kundërshtarit tjetër për miqësoren e dytë të 29 marsit. Përballja me një skuadër të kualifikuar në finalet e Euro 2016 kërkohej edhe nga trajneri Xhovani De Biazi, ndërsa do të jetë dhe një test force për skuadrën kuqezi.
Shqipëria debuton në Kampionatin Evropian, ku luan në grupin A në “Euro 2016”, bashkë me vendin organizator, Francës, por edhe Rumaninë dhe Zvicrën.