AlbanianSport.com 05/09/2021 18:55
ASNN – Shqipëria është përballur të dielën me Hungarinë, në takimin e vlefshëm për grupin I të Eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022”, që u luajt në Stadiumin “Elbasan Arena” dhe që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 18:00.
Të dy skuadrat erdhën pas humbjeve të thella në takimet e 4-ta në grup, përkatësisht Shqipëria 1-4 përballë Polonisë në Varshavë dhe Hungaria 0-4 përballë Anglisë në shtëpi, dje pjesa e parë i ka parë të dy formacionet të luajnë me kujdes. Sidoqoftë, është Shqipëria që jep shkëndija në 4 raste brenda çerekorës së parë, por pa e gjetur dot rrugën e rrjetës, sidomos me Uzunin.
Në krahun tjetër, Hungari rrezikon në minutën e 18-të, por gardiani kuqezi, Berisha, bëhet vendimtar dhe nuk lejon prekjen e rrjetës së tij. 11 minuta më pas, është debutuesi në fanellën kuqezi, Nedim Bajrami, që ka patur një pjesë të parë shumë të mirë në mesfushë, ai që godet rrezikshëm nga larg.
Por rasti më i mirë kuqezi është ai i minutës së 33-të, kur goditja e këndit e ekzekutuar nga Bajrami, devijohet me kokë nga Gjimshiti dhe, nga fare afër, Kumbulla nuk e shtyn dot topin në rrjetë. Me hungarezët më të rrezikshëm në portën shqiptare, por me rrjeta të paprekura do të mbyllen 45 minutat e para.