Përshtatur nga ABC News 11.01.2016 16:15
Nuk është përmbajtur trajneri i Shqipërisë, Xhovani De Biazi, duke iu përgjigjur asaj që ai e quan “tam-tam mediatik”. Italiani ka deklaruar se nuk ka ndërmend të pasurohet me paratë e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), dhe ka hedhur poshtë shifrat e publikuara sipas të cilave, pagesa e tij rritet me 60 %. “Lexoj me keqardhje të madhe në mediat shqiptare lajme që lidhen me rinovimin e kontratës nga ana ime”, – shkruan De Biazi në komunikatën e tij për shtyp.
“Sot dua të them dhe unë versionin tim të fakteve, duke mos pranuar heshturazi, “tam-tam”-in mediatik, që kërkon të më prezantojë si dikush që kërkon të pasurohet në dëm të Federatës”, – ka vijuar trajneri 60-vjeçar, i cili pohon se kontrata e tij e parë ishte e barabartë me 4.2 % të buxhetit të federatës, diçka që u rrit jo edhe aq shumë në kontratën e dytë. De Biazi jep versionin se aktualisht nuk ka firmosur një kontratë të re, por sipas tij, presidenti Duka ka vendosur ta shpërblejë, duke i dhënë 4.4 % buxhetit të Federatës.
Sipas asaj që dihet, paga-bazë e De Biazit dhe stafit të tij ka qenë 350 mijë euro, ndërsa bashkë me shpërblimet e ndryshme, shifra e ka kaluar 1-milionë-euroshin. Kreu i FSHF-së, Duka është shprehur disa herë se kontrata e italianit vlen deri në 2017, ndërsa burime të besueshme në Federatë kanë pohuar se kostoja financiare e stafit italian të Kombëtares shkon deri në 25 % të buxhetit të organizmit që qeveris futbollin në Shqipëri.