AlbanianSport.com 05/01/2021 23:55
ASNN – Duke folur për emision sportiv “Pressing” në televizionin informativ shqiptar “ABC News”, trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja, foli edhe për cilësinë e kampionatit shqiptar, talenteve të reja që dalin nga Kategoria Superiore, por edhe objektivat kuqezi në të ardhmen. Trajneri i Kombëtares nuk ka lënë pa prekur as cilësinë e kampionatit shqiptar, për të cilën kujdeset. Kjo sepse ndikon edhe në punën e tij, por ai shpreh gjithashtu keqardhje për nivelin që, sipas tij, nuk është ende aty ku duhet.
“Më vjen keq për Ismajlgecin, të cilin e grumbullova e më pas u dëmtua, – thotë italiani. – Sepse nëse nuk do të ishte dëmtuar, sigurisht që do të luante ndaj Kosovës, por kishte mundësi shumë të mira, nisur nga mungesat që kisha që të luante titullar edhe ndaj Bjellorusisë. Unë i shoh të tërë, por më bën përshtypje diçka dhe kam arritur në një konstatim: Si ka mundësi që lojtarët kampionatit shqiptar, si Doka që ikën jashtë Shqipërie dhe luan mirë. Më tej të njëjtën gjë bëjnë Kallaku, Çokaj, Uzuni, Mersinaj, të cilët po bëjnë paraqitje të mira. Kam dilemë dhe një pikëpyetje të madhe në këtë drejtim.”
“Nuk di çfarë ndodh në Shqipëri, që nuk merren në konsideratë të tillë lojtarë? – ka shtruar ai pyetjen. – Apo nuk vijnë në formën e tyre më të mirë? Sipas meje duhet të ngrihen strukturat në klube, por kam parë edhe fushat, që lënë për të dëshiruar në aspektin e kondicionit të terreneve. Gjithashtu, duhet të nisim të ndryshojmë mbi të gjitha mentalitetin dhe strukturat. Duhet t’i risim mirë lojtarët, që të kuptojnë se çfarë do të thotë të luash futboll edhe në aspektin taktik. Më vjen një pikëpyetje madhe rreth kampionatit në Shqipëri që mendoj që nuk është konkurrues në veçanti.” Për këtë arsye, trajneri kuqezi beson se lipset një ndryshim i mendësisë.
“Nuk di shkaqet, sepse sapo lojtarët ikin prej kampionatit shqiptar bëhen menjëherë lojtarë të mirë kudo që shkojnë, – thotë ai. – Të paktën kjo është ajo që ka ndodhur në vitet e fundit. Nuk e di sa e vërtetë mund të jetë ky konstatim i imi. Nuk mundem në këtë pikë të fajësoj trajnerët. Aspak. Kam njohur trajnerë në Shqipëri që janë shumë të mirë. Por në përgjithësi, është një mendësi që duhet ndryshuar me shpejtësi. Ndërkaq, ndiej keqardhje për këtë situatë bllokuese nga “Covid-19”, pasi kisha marrë angazhim të vija më shpesh në Shqipëri për të folur me klubet, me lojtarët, me drejtuesit.”
“Kemi ndërmarrë dhe një iniciativë të re, sepse Febrari ka organizuar një kurs për përgatitësit atletik, Stesina po shqyrton edhe mundësitë e trajnimit të mjekëve sportivë, – ka vijuar Reja. – Shqipëria duhet të rritet, sepse sipas meje ka lojtarë të mirë dhe aty. Por lojtarëve u duhet dhënë mundësia dhe instrumenti përkatës për rritjen e gjithsecilit, por në terma të përgjithshme flas, pasi kjo s’ka të bëjë me pjesën e trajnerit. Mendësia duhet ndryshuar sipas meje”, – ka përfunduar trajneri i Kombëtares kuqezi.