AlbanianSport.com 05/09/2021 21:35
ASNN – Trajneri i Kombëtares flet pas triumfit ndaj Hungarisë, vendos “veton” për formacionin. Kreu i stolit të Kombëtares kuqezi, Edoardo Reja, ka deklaruar se një fitore me Hungarinë ishte mënyra më e mirë për t’ju përgjigjur kritikave që shpërthyen pas humbje me Poloninë para 3 ditësh. “Kemi bërë edhe sot një ndeshje të mirë, – ka thënë ai, duke folur pas ndeshjes për mediat. – Në pjesën e parë kemi krijuar disa mundësi, duhej të konkretizonim më parë pastaj erdhi ky gol që na liroi. Por duhet t’i njohim meritat e Hungarisë që luftoi e na bëri të vuajmë me topa të gjatë.”
“Të mundësh Hungarinë që ka luajtur në Evropian, nuk është pak, – ka vijuar trajneri veteran. – Vuajtëm sidomos në aspektin fizik, gjithçka e merituam se djemtë ishin të fokusuar me kokë dhe zemër. Në fazën mbrojtëse kemi bërë një ndeshje të mirë, ndërsa përpara me episode, duhet të jemi më konkretë, kemi humbur disa mundësi të mira.” Kreu italian i stolit kuqezi ka folur edhe për çështjen e aktivizimit të Brojës, që shënoi të dielën golin e fitores, duke thënë: “Nëse vjen në formë e me kondicion, të shohim se si do të jetë me klubin. Nëse luan titullar duhet marrë në konsideratë. Ai ka aftësi të rëndësishme.”
“Ka një talent dhe hapësirë rritje nga mosha që ka, por duhet përmirësuar në shumë aspekte, – ka vijuar Reja. – Në kombëtare nuk është si klubi, aty ke kohë për gjithçka, por këtu nuk e ke këtë mundësi. Çdo top që merr është një top që duhet ta luash, jo ta humbasësh. Duhet administruar më mirë topi.” Duke reflektuar edhe mbi lojën ndaj Hungarisë, trajneri ka përsëritur edhe mendimin e tij se formacioni është zgjedhje teknike, që nuk diskutohet. “Ne kemi humbur shumë mundësi, edhe kur shënuam duhej të mbanim më mirë topin, jo ta hiqnim, – ka thënë 75-vjeçari. – Një skuadër në epërsi duhet të luajë me më pak presion, por kjo është një ndeshje vendimtare.”
“Po të humbej ishim jashtë, por sot u kthyem në garë dhe treguam se jemi të gjallë, – ka pohuar ai. – Kemi 28 lojtarë, me raste bëjmë zgjedhje me të tjerë. Të gjithë këtu, nuk ka titullarë e zëvendësues. Unë bëj zgjedhje. Nëse i pranojnë, mirë, përndryshe rrinë në shtëpi.” Italiani tanimë e ka hedhur vështrimin tek sfidat e radhës. “Objektivi? Do të luajmë shanset tona, tani kemi San Marinon, një ndeshje që duhet ta përballojmë në mënyrën e duhur, – ka thënë Reja. – Pasta do të luajmë shanset me Poloninë. Duhet të hakmerremi për humbjen e rëndë.”
“Por kemi ndeshje të rëndësishme, t’i luajmë me radhë, të mundohemi të marrim tre pikët me San Marinon nëse jemi të aftë e pastaj të shohim. Të shohim në çfarë gjendje do të vijnë lojtarët, kush është në formë nuk jemi në kushte që të gabojmë diçka. Ne derisa të ketë shanse, do të luajmë deri në fund shanset tona”, – ka përfunduar trajneri i Kombëtares shqiptare të Futbollit, Edoardo Reja. Me triumfin 1-0 ndaj Hungarisë, Shqipëria ka gjetur fitoren e 3-të në këto ndeshje të eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022” dhe është ngjitur në kuotën e 9 pikëve.