AlbanianSport.com 05/01/2021 20:55
ASNN – Shorti i vendosi Shqipërinë në Grupin I së bashku me Anglinë, Poloninë, Hungarinë, Andorrën dhe San Marinon, teksa kuqezinjtë e nisin këtë aventurë më 25 mars në vizitën që do t’i bëjnë Andorrës. Dhe trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Edoardo Reja ka deklaruar se shpreson shumë që lojtarët kuqezi të jenë në formë të mirë në muajin mars, kur nisin edhe eliminatoret e Botërorit 2022. Duke folur për emision sportiv “Pressing” në televizionin informativ shqiptar “ABC News”, veterani italian i stolit kuqezi ka folur më tej edhe për prurjet e reja, duke u shprehur i kënaqur me reagimin që ka marrë prej tyre.
“Natyrisht kemi kaluar edhe në planin B, pasi kishte disa arsye, epidemia e “Covid-19”, klubet që nuk na i lejonin lojtarët, apo edhe dëmtimet e kështu kam qenë i detyruar të hedh në fushë lojtarë të rinj dhe kam marrë ‘feed-back’ shumë të mirë prej tyre, – ka kujtuar ai. – I kam grumbulluar dhe janë përgjigjur në stërvitje dhe ndeshje në mënyrë të shkëlqyer të themi. Sepse ku u nisëm për dy vizitat ndaj Kazakistanit dhe Lituanisë një lloj ankthi e stepje e kishim për shkak të elementit të ri. Madje, edhe në ndeshjen ndaj Bjellorusisë në Tiranë, ku ne fituam, kishim debutues.”
“Kur kemi të bëjmë me një lojtar të ri, i cili e ka ndeshjen e parë me kombëtaren, ka vend për shumë diskutime, – ka vijuar Reja. – Sidoqoftë morëm përgjigje të mira. Personalisht jam shumë i kënaqur nga këta të rinj, dhe mendoj që ata do të kenë një të ardhme të mirë. Doka, Kallaku e Broja kanë dhënë përgjigje tepër pozitive në fushë. Kështu që kemi në dispozicion lojtarë që nga tani dhe në Botëror e Evropian mund t’i japin një shtysë të mirë ekipit.” Në mbyllje, trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Edoardo Reja, ka folur edhe për synimin në Eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”.
“Anglia dihet që është e fortë, sikundër edhe Polonia me lojtarë tepër cilësorë, apo edhe Hungaria është po ashtu një nga skuadrat e momentit për formën që ka, – pohon ai. – Por më pëlqen që të përballem me këta rivalë, sepse janë skuadra, si Anglia në veçanti, që stimulojnë maksimalisht skuadrën e kështu ndaj tyre do të shohim nëse jemi rritur apo jo. Janë ndeshje tepër konkurruese, skuadra shumë të forta, por nëse arrijmë të bëjmë paraqitje të mira dhe mbase fitojmë ndeshje me rivalë të tillë, atëherë do të thotë që kemi rritje në planin personal dhe profesional.”
“Kjo do të konfirmonte rritjen e Kombëtares shqiptare. Një vit të mbarë të gjithëve! Shpresojmë që Federata të rritet, që futbolli në vend të rritet dhe mbi të gjitha ekipi kombëtar të rritet dhe të përballet në mënyrë konkurruese me të tilla skuadra që ka në grup”, – ka përfunduar trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Edoardo Reja.