AlbanianSport.com 13.10.2016 15:30
ASNN – Pas Ermir Lenjanit, edhe Amir Abrashi ka pasur një javë shumë të trazuar. Mesfushori i Kombëtares sonë luajti vetëm 45 minutat e para në Lihtenshtejn, ndërsa me Spanjën qëndroi 90 minuta në stol.
Sikur të mos mjaftonte hidhërimi për qëndrimin jashtë në një sfidë aq të rëndësishme, Abrashi nuk ka pasur fat as pas kthimit në Gjermani. Në stërvitjen e së martës Abrashi mori një goditje në kokë, duke pësuar një traumë të fortë.
Sipas raportimeve në median gjermane, Abrashi ishte duke larguar një top para porte, por rrëshqiti dhe përplasi kokën te shtylla. Stërvitja u ndërpre për pak dhe Abrashi u transportua për në spital.
Atje ku do të kryejë edhe kontrolle të tjera në ditët në vazhdim, por është e sigurt se mjekët ia kanë ndalur të zbresë në fushë këtë fundjavë, në sfidën që Frajburgu do të luajë ndaj Hofenhajmit.