AlbanianSport.com 24.03.2016 12:25
ASNN – Federata Shqiptare e Futbollit së bashku me sponsorin zyrtar teknik “Macron”, kanë prezantuar fanellat e reja, të cilat do të veshin futbollistët e Kombëtares në fazën finale të Kampionatit Evropian, “Francë 2016”. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, dhe trajneri Xhovani De Biazi, i kanë uruar skuadrës që këto fanella t’i sjellin fat dhe të vazhdojnë më tej suksesin në finalet e Evropianit.
Uniformat e reja të kombëtares shqiptare, të sponsorit zyrtar teknik, “Macron”, janë prezantuar tashmë jo me monitor, por të veshura nga vetë futbollistët kuqezinj. Portieri i Kombëtares, Etrit Berisha, e më pas Bala, Mavraj, Cikalleshi, Agolli, Xhaka, Gashi dhe kapiteni Cana kanë sfiluar me uniformat e reja, me të cilat do të luajnë në fazën finale të Evropianit “Francë 2016”.
Trajneri i Kombëtares, Xhovani De Biazi, uron që, me këto uniforma të reja, futbollistët të përcjellin në fushë atë unitet dhe shpirt gare, edhe në fazën finale të Evropianit. “E rëndësishme është që, brenda këtyre fanellave, do të jenë trupat e atyre djemve që arritën të kualifikohen në finalet e Evropianit Francë 2016, duke realizuar ëndrrën e të gjithë shqiptarëve”, – ka thënë trajneri.
“Por më e rëndësishme është që ata të vazhdojnë edhe më tej me të njëjtin unitet dhe shpirt gare që treguan në eliminatore”, – shtoi italiani me pasaportë shqiptare. Edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka uruar që futbollistët e Kombëtares të vazhdojnë suksesin edhe në finalet e Evropianit për të bërë më shumë krenar një popull të tërë. Kombëtarja do të luajë ndeshjen e parë miqësore me Austrinë më 26 mars dhe të dytën, më 29 mars me Luksemburgun.