AlbanianSport.com 04/06/2018 17:25
ASNN – Përkundër dy paraqitjeve mjerane, trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Kristian Panuçi beson që skuadra e tij do të ringjallet në shtator. Dhe këtë trajneri e ka thënë në një intervistë dhënë “në ilegalitet” në Zvicër dhe për mikrofonin dhe kameran e Federatës Shqiptare të Futbollit. Shqipëria ka zhvilluar dy ndeshje shumë të dobëta miqësore në këto 10 ditët e fundit, në të cilat ka humbur fillimisht 0-3 me Kosovën dhe më pas, 1-4 me Ukrainën.
Mediat në Shqipëri fajin kryesor ia veshur trajnerit Panuçi, nën udhëheqjen e të cilit, kuqezinjtë kanë pasur një rënie drastike të lojës. Por vetë italiani vazhdon “të shohë ëndrra me sy hapur” dhe premton që ekipi do të ringjallet për ndeshjet e Ligës së Kombeve që fillojnë në muajin shtator, ku ai pret të ketë ekipin e kompletuar. “Në kombëtare nuk shoh asgjë kaq të rëndë dhe kaq katastrofike, sikurse duan që të duket”, – ka thënë ai me një qetësi olimpike.
“Kemi zhvilluar dy ndeshje shumë negative, sepse skuadrës i kishte mbaruar benzina. Jemi pa Bashën, Xhakën, Memushajn, Grezdën, Sadikun, – ka vijuar Panuçi. – Mavraj ka 5 muaj që nuk luan, Memolla gjithashtu, kishte 5 muaj pa luajtur. Nuk kishim forcë, nuk kishim këmbë. Nuk kishim mendimin për të sulmuar. Duhet ta pranojmë situatën, duke shpresuar që të na kthehen shumë futbollistë. Më pëlqejnë kritikat, por kur janë të drejta dhe të ekuilibruara.”
“Duhet të presim dy muaj për ndeshjet e tjera, por jam i bindur se, kur të jemi të gjithë bashkë, do të bëjmë një skuadër të mirë dhe do të provojmë të shkojmë në Evropian”, ka këmbëngulur ai. “Ukraina kishte futbollistë të Shahtjorit të Donjeckut dhe Dinamos së Kievit, pra me cilësi të larta, – tha më tej traineri italian i kuqezinjve. – Nuk më pëlqen të gjej justifikime, por bateritë i kishim të shkarkuara. Kishim shumë të rinj dhe ishte e drejtë të rrezikonim dhe të provonim.”
Tani ekipi kuqezi do të shkojë me pushime dhe më pas Shqipëria do të përgatitet për takimet me Izraelin dhe Skocinë, në kuadër të Ligës së Kombeve, që luhen në shtator. “Jam i bindur se në shtator, skuadra do të rikthehet konkurruese në Ligën e Kombeve”, përfundoi trajneri italian i Kombëtares së Shqipërisë, Kristian Panuçi.