AlbanianSport.com 04/12/2018 11:00
ASNN – Sulmuesi i përfaqësueses së Francës, Oliver Zhiru, ka komentuar në mediat franceze shortin e grupit H për eliminatoret e Kampionatit Evropian të vitit 2020, duke cilësuar Islandën dhe Turqinë si dy rivale mjaft të forta, por në të njëjtën kohë ka theksuar se Shqipëria, një skuadër të cilën ai pretendon se e njeh, ia bën jetën ferr çdo kundërshtari dhe Franca do të vuajë përballë saj.
Sulmuesi i “Gjelave” ka luajtur në dy takime kundër Shqipërisë, një herë në Elbasan, ku fituan kuqezinjtë 1-0, si dhe në finalet e Evropianit, ku fitoi Franca 2-0. Sidoqoftë, Zhiruja sheh rivalë më të fortë në këtë moment Islandën dhe Turqinë, dy ekipe që sipas tij kanë kualitet dhe forcë. Edhe pse bën thirrje që të kihet kujdes ndaj çdo kundërshtari, Zhiruja veçon Islandën dhe Turqinë si ekipe më problematike për Francën.
“Ne e njohim mirë Islandën, – u shpreh ai për mediat franceze, – ata kanë bërë disa paraqitje të mira në turne ndërkombëtarë në vitet e fundit. Islanda është një kundërshtar me të cilin jemi mësuar të luajmë vazhdimisht. Ndoshta më pak me Turqinë. Por, sidoqoftë, mbeten një skuadër me atmosferë të zjarrtë dhe kanë një brez shumë të mirë lojtarësh.”
“Me Moldavinë, Andorrën dhe Shqipërinë, – shtoi “pyka” e sulmit të përfaqësueses franceze, – por këtë të fundit e njohim mirë, ka gjithmonë ndeshje të vështira. Por ne do të përgatitemi që të mbyllim grupin në vendin e parë.” Zhiruja ishte titullar në shumicën e ndeshjeve që Franca luajti në Botërorin e Rusisë, por nuk shënoi asnjë gol. Ai festoi si i çmendur fitimin e trofeut.
Por mediat sportive të të gjithë botës e “kryqëzuan” atë për mungesë të shprehur efikasiteti, si dhe trajnerin Didië Deshomp për aktivizim të një lojtari që rrinte kot në fushën e lojës. Sidoqoftë, Franca ia doli dhe fituesi nuk gjykohet.