Albaniansport.net 19.01.2016 12:30
ASNN – Kur kanë mbetur edhe pak muaj deri në pjesëmarrjen historike për herë të parë në Evropian, futbollistët e Kombëtares kuqezi e gjejnë veten të ndarë në dy grupe, atë të titullarëve të konfirmuar dhe atë të lojtarëve që kanë ndërruar tashmë ose pritet që, deri në fund të muajit, të ndërrojnë klub. Kështu, merkatoja e janarit e ka gjetur kontingjentin e Kombëtares të ndarë në dy pjesë.
Njëra pjesë është ajo e titullarëve të konfirmuar, si kapiteni Cana apo Lenjani tek Nanta në Francë, Elseid Hysaj te Napoli, Sokol Cikalleshi tek Bashaksehiri në Turqi, Naser Aliji tek Bazeli në Zvicër, Ansi Agolli tek Karabagu në Azerbajxhan, Andi Lila tek PAS Janina dhe Egys Kaçe tek PAOK-u i Selanikut në Greqi, apo Odise Roshi dhe Bekim Balaj në Kroaci.
Ndërsa pjesa tjetër është ajo e lojtarëve që kanë ndërruar tashmë ose pritet që, deri në fund të muajit, të ndërrojnë klub. Më i fundit është Berat Gjimshiti, i cili ditët e fundit ka firmosur për Atalantën në Serinë A, ku u zhvendos pak javë më parë edhe Arlind Ajeti, i cili firmosi me Frosinonen. Seria A mund të jetë destinacion edhe për shqiptarin e Bazelit, Taulant Xhaka.
Ndërsa një tjetër shqiptar i kampiones helvete, Shkëlzen Gashi, i cili po vuan gjatë këtij sezoni përsa i përket aktivizimit, është përfolur për një kalim të mundshëm po në Zvicër, tek Lucerna, por edhe tek Olimpiku i Marsejës në Francë dhe Gallasaraji në Turqi. Një tjetër futbollist kuqezi që luan në Zvicër, Armando Sadiku, është huazuar nga klubi i Zyrihut, tek skuadra nga Lihtenshtejni, Vaduzi.
Sa u përket dy lojtarëve të kthyer nga dëmtimet, Burim Kukeli po vuan për minuta në Zvicër, ndërsa qendërmbrojtësi Mërgim Mavraj, që është aktualisht tek Këlni, po kërkohet nga Sent Pauli i Bundesligës së dytë në Gjermani, por edhe nga Sampdoria në Serinë A. Një dilemë e madhe është merkatoja e janarit edhe sulmuesin e Kombëtares, Hamdi Salihin.
Ai e pati bërë të qartë në fund të vitit se nuk dëshironte të qëndronte më tek Skënderbeu. Të gjitha këto dilema do të zgjidhen në fund të janarit, kur të gjithë kuqezinjtë të kenë vendosur për fatin e tyre në rrugëtimin drejt Evropianit historik të verës.