AlbanianSport.com 08/03/2019 15:40
ASNN – Kur mbeten më pak se dy javë nga dueli i parë eliminatornë kuadër të Eliminatoreve të Kampionatit Evropian të vitit 2020 ndaj Turqisë, në kampin kuqezi ka një situatë të tensionuar, e cila nuk lidhet me gjendjen e futbollistëve, pasi këtë herë kontigjenti është në formë të mirë dhe masiv, por me pozicionin e mbrojtësit Mërgim Mavraj, i cili është penalizuar me 3 ndeshje nga UEFA për shkak të kartonit të kuq dhe sjelljes antisportive në një ndeshje të Ligës së Kombeve kundër Skocisë.
Mavraj është penalizuar me 3 ndeshje por e ka apeluar vendimin dhe pret që UEFA të japë një sqarim në lidhje me këtë çështje. E thënë ndryshe, Mavraj pret të falet dhe të kthehet në fushë me Kombëtaren, për të dhënë kontributin e tij në qendër të mbrojtjes. Përvoja dhe forma e tij në këtë moment mund të ndihmojnë skuadrën të marrë rezultat maksimal ndaj turqve. Por UEFA ende nuk ka lëshuar ndonjë sinjal, pozitiv apo negativ qoftë.
Kjo situatë “as mish, as peshk”, duket se ka stresuar edhe trajnerin Kristian Panuçi, i cili po pret zgjidhjen e ngërçit me Mavrajn për të hartuar formacionin titullar. Kuptohet, nëse UEFA do të vendosë në favor të lojtarit, pra që ai të luajë, atëherë Mavraj do të jetë në formacion, pasi është futbollist që i shërben Kombëtares, kurse në rrethana të tjera do të detyronte Panuçin të bënte zgjedhje të rastit dhe të imponuara, megjithëse në qendër të mbrojtjes ka dhe lojtarë të tjerë që janë në formë në këtë moment.
Dhe dy prej tyre që po kalojnë një moment mjaft pozitiv janë Berat Gjimshiti dhe Frederik Veseli, por edhe Ardijan Ismajli që luan me Hajdukun e Splitit në Kroaci. Por nuk është vetëm formacioni, sepse me Mavrajn lidhet edhe shiriti i kapitenit. Koha ka treguar se Mavraj me shirit në krahë është lojtar i zgjedhur nga grupi dhe ekipi funksionon më mirë. Nëse ai do të mungojë, nuk përjashtohet ndonjë “kacafytje” për rolin e kapitenit, megjithëse Elseid Hysaj dhe Etrit Berisha kanë shanse të barabarta ta mbajnë atë.