AlbanianSport.com 18/11/2018 17:55
ASNN – Të shtunën mbrëma, mbase edhe në gjaknxehtësinë e momentit, ai ishte këmbëngulës përtej arsyes, teksa në një bisedë në transmetim të drejtpërdrejtë me studion e Radio-Televizionit Shqiptar, nuk pranoi se e kishte goditur me kokë kundërshtarin skocez në ato pak sekonda çmenduri që vendosën shumëçka në atë sfidë.
Por më pak se 24 orë më pas, Mërgim Mavraj është kthjelluar dhe e ka rigjetur arsyen, duke kërkuar ndjesë për atë episod të pjesës së parë me Skocinë, që padyshim ishte përcaktues për atë humbje të thellë të pësuar në Shkodër. “E ndjej të kërkoj publikisht falje për atë moment dobësie”, – shkruan kapiteni kuqezi në një postim të shkurtër në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”.
“Të gjithë gabojmë dhe këtë herë më ndodhi mua, – vijon më tej ai. – Për Kombëtaren kam luajtur dhe i dëmtuar madje në situata edhe shumë më të vështira, ndaj ajo që kërkoj është të më kritikoni, sigurisht, por jo të vini në diskutim respektin dhe dashurinë për këtë fanellë e këto ngjyra. Shohim përpara, me bindje se Shqipëria do të kthejë kapitull.”
“Të gjithë bashkë mund t’ia dalim përsëri, por nëse jemi të ndarë atëherë mund të na mposhtë kushdo”, – ka përfunduar Mërgim Mavraj. Natyrisht që është për t’u vlerësuar ky reflektim i tij, ndonëse me vonesë, edhe pse do të kishim dëshiruar që, për më tepër si kapiten, ai të kishte ruajtur më tepër se të gjithë të tjerët qetësinë.