AlbanianSport.com 01.03.2016 17:10
ASNN – Shqipëria është kualifikuar për herë të parë për në fazën finale të një Evropiani dhe institucioni që qeveris futbollin shqiptar ka zyrtarizuar edhe testin e tretë para “Francë 2016” dhe këtë herë rival do të jetë përfaqësuesja modeste e Luksemburgut.
“Kombëtarja shqiptare do të luajë më 29 mars kundër Luksemburgut, ndeshje që do të luhet në fushën e miqve, në stadiumin “Zhozi Barthel”, duke nisur nga ora 20:15”, – shkruhet në njoftimin e Federatës Shqiptare të Futbollit. Kështu, Kombëtarja kompleton të dy datat miqësore të muajit mars. Fillimisht më 26 mars, ajo do të zhvillojë miqësoren e parë të këtij viti kundër Austrisë, në stadiumin “Ernest Hapel” të Vjenës.
Tri ditë më pas, Kombëtarja do të luajë në Luksemburg. Ndërkaq, para pak ditëve, është konfirmuar zyrtarisht edhe një miqësore që do të zhvillohet më 29 maj kundër Katarit.
Ndërkohë, FSHF-ja ka bërë të ditur se kanë nisur procedurat për ndërtimin e Stadiumit të ri Kombëtar. Sipas njoftimit të FSHF-së, nga 12 subjektet e regjistruara për pjesëmarrje në këtë tender, dje ka paraqitur ofertë vetëm njëra prej tyre.
Mbetet për t’u parë në ditët dhe javët në vijim se çfarë do të ndodhë me Stadiumin aktual Kombëtar “Qemal Stafa”.