AlbanianSport.com 13.10.2015 12:30
ASNN – Përveçse ka tërhequr vëmendjen e mbarë mediave botërore, kualifikimi historik i Shqipërisë për të parën herë në një fazë finale të një veprimtarie madhore futbollistike, siç është Kampionati Evropian, ka marrë edhe vlerësimin e figurave të shquara të futbollit botëror. Dhe është trajneri i mirënjohur italian, Marçelo Lipi, ai që ka folur me superlativa për bashkëatdhetarin e tij në krye të stolit të përfaqësueses kuqezi.
“Xhovani De Biazi ka përfunduar me sukses një sipërmarrje të jashtëzakonshme, që askush nuk e besonte si të mundshme”, – ka thënë trajneri i mirënjohur i kalibrit botëror duke folur për mikrofonin e “Radio-Due”-s për trajnerin e Kombëtares kuqezi. Më tej, duke mos e fshehur euforinë, kampioni i botës në 2006-n me Italinë, ka lëshuar edhe një batutë: “Nuk ke çfarë t’i bësh… trajnerët italianë kanë diçka më tepër sesa të tjerët”.
Me fitoren 3-0 të arritur në Armeni, Shqipëria siguroi vendin e dytë në grupin I të Eliminatoreve dhe bashkë me të edhe vendin në fazën finale të Evropianit të vitit të ardhshëm. Evropiani “Francë 2016” do të ketë 24 skuadra, që do të ndahen në 6 grupe me nga 4 skuadra. Dy ekipet e para të secilit grup kalojnë në fazën tjetër. Por 12 skuadrave të kualifikuara do t’u shtohen edhe 4 skuadrat më të mira nga vendet e treta të grupeve, për të plotësuar 16-shen.