AlbanianSport.com 08.10.2014 17:05
ASNN – Kombëtarja kuqezi vazhdon në Durrës përgatitjet për ndeshjen e së shtunës me Danimarkën dhe, pas dy seancave stërvitore të zhvilluara të martën, sot ka vijuar me një seancë të vetme, të zhvilluar duke nisur nga ora 10:00 e paradites. Ajo që duhet theksuar është se, në përgatitje për dy ndeshjet e radhës, trajneri i Kombëtares ka vendosur një regjim të rreptë në kampin e Kombëtares kuqezi në Durrës.
Kështu, është dhënë urdhër që të mos lejohen të futen në mjediset e kampit kuqezi as gazetarët. Këto masa do të zgjasin deri më 13 tetor, datë që përkon me nisjen e skuadrës drejt Beogradit për takimin e dytë me Serbinë. Kujtojmë që, edhe vitin e kaluar, në prag të ndeshjeve eliminatore të Botërorit ndaj Sllovenisë dhe Islandës në fushë të huaj, trajneri italian pati vendosur “shtetrrethim” për Kombëtaren, duke evituar çdo kontakt me median.
Mesa duket, De Biazi kërkon që futbollistët të jenë totalisht të përqendruar te takimi me Danimarkën, pasi kontaktet e mundshme me tifozët dhe mediat mund t’i shpërqendrojnë. Vlen të theksohet se ky është grumbullimi i parë për këtë edicion në tokën shqiptare dhe një raport të tillë më të kontrolluar me median, De Biazi e pati paralajmëruar fill pas zyrtarizimit të zgjatjes së kontratës.