AlbanianSport.com 26.05.2016 17:55
ASNN – Kombëtarja është shtuar me disa lojtarë të enjten edhe pse nuk morën pjesë në stërvitjen e paradites. Mes tyre është edhe Taulant Xhaka, i cili më parë i duhet nënshtruar kontrolleve mjekësore për të vendosur se kur do të jetë gati. Megjithatë stafi teknik i kryesuar nga Xhovani De Biazi pret që mesfushori të jetë në fushë për ndeshjet e Evropianit.
Të tjerët stërviten prej të hënës dhe kuqezinjtë po vijojnë me dy seanca në ditë në pritje të miqësores së parë të kësaj faze përgatitore ndaj Katarit. Kështu, të enjten i janë bashkuar skuadrës në stërvitje tre futbollistë që militojnë në Superligën zvicerane, Taulat Xhaka, Naser Aliji e Armando Sadiku, si dhe Ansi Agolli që ishte i angazhuar me skuadrën e tij, Karabagun, në finalen e Kupës së Azerbajxhanit, të cilën e fitoi.
Më 29 maj 2016 do të vijnë dy futbollistë të tjerë po nga kampionati zviceran, Burim Kukeli dhe Frederik Veseli. Ndërsa në 30 maj, grupit do t’i bashkohet edhe lojtari i fundit, Ergys Kaçe, i cili militon në kampionatin grek me PAOK-un e Selanikut. Po në këtë datë, trajneri De Biazi duhet të ketë dorëzuar në UEFA listën zyrtare me 23 futbollistët që do të luajnë në fazën finale të Evropianit “Francë 2016”.