AlbanianSport.com 23.06.2016 13:45
ASNN – Shqiponjat kthehen sot në atdhe. “Euro 2016”, do të mbahet mend nga të gjithë për përfaqësimin e jashtëzakonshëm që bënë futbollistët tanë atje, por sidomos tifozeria. Kuqezinjtë mbërrijnë sot në Tiranë, në Aeroportin “Nënë Tereza”, në orën 15.00. Kryeministri Edi Rama do t’i presë heronjtë atje, me të gjitha nderimet ushtarake dhe rojen e nderit.
Futbollistët dhe stafi me një autobus të hapur do të nisen më pas drejt Tiranës ku ndalesa e parë do të jetë në Bashki. Aty kryebashkiaku, Erion Veliaj do t’i dorëzojë ekipit çelësin e qytetit. Ndalesa e dytë do të jetë në Ministrinë e Jashtme. Ministri Ditmir Bushati do të presë futbollistët, të cilët do të bëjnë aplikimin për pasaportat diplomatike, një premtim ky i kryeministrit.
Ndalesa e tretë do të jetë në Kryeministri, ku kreu i qeverisë do të presë zyrtarisht Kombëtaren si dhe futbollistët më të shquar kuqezi ndër vite. Etapa e fundit do të jetë në sheshin “Nënë Tereza”, pikërisht në “Fan Zonën”, nga ku qytetarët e Tiranës ndoqën me emocion ndeshjet e kombëtares. Në “Fan Zonë” do të organizohet një koncert madhështor me këngëtarë të njohur.
Nga podiumi, futbollistët do të kenë mundësi t’u flasin sportdashësve shqiptarë. Në mbrëmje Kryeministri Rama do të shtrojë një darkë në nder të ekipit kuqezi, ku do të marrin pjesë personalitete të larta të shtetit shqiptar dhe të Kosovës.