Adriatik Balla 14.06.2015 09:00
Shqipëria ka shënuar dje një fitore të madhe në “Elbasan Arena” ndaj përfaqësueses franceze, duke fituar 1-0. Nga shumë përballje me Francën, kjo ishte hera e parë që fitonte skuadra përfaqësuese shqiptare, pra ishte një fitore historike. Heroi i takimit ishte Ergys Kaçe, që shndërroi në gol një goditje dënimi, duke realizuar një “euro-gol” që do të mbahet mend gjatë për nga cilësia e ekzekutimit.
Mesfushori tha pas takimit të djeshëm ndaj Francës se ishte i lumtur për fitoren e skuadrës e natyrisht dhe për golin e tij. Ai u kujtoi të gjithëve se Shqipëria tani duhet të merret seriozisht nga skuadrat e mëdha të Evropës dhe sidomos nga kundërshtarët në grup. Për Kaçen fitorja ishte e merituar dhe skuadra kuqezi qartazi po bën hapa përpara.
“Kjo ishte një fitore e bukur ndaj një skuadre të madhe, – ka deklaruar ai. – Unë jam i lumtur për golin që shënova, por më i lumtur jam për fitoren. Erdhi në një moment të bukur për ne dhe do ta shijojmë. Unë mendoj se tani skuadrat e mëdha duhet të frikësohen nga Shqipëria, pasi kemi një skuadër që punon mirë dhe luan si e barabartë, madje i mund rivalët e saj.”