AlbanianSport.com 10.11.2016 19:30
ASNN – Federata Shqiptare e Futbollit dhe Policia e Shtetit e mbajtën sekret deri në momentin e fundit mbërritjen e kombëtares së Izraelit në aeroportin e Rinasit, kjo për arsye sigurie. Dyshimet për disa akte terroriste kanë vënë në lëvizje organet ligjzbatuese shqiptare, por edhe ato izraelite, duke rritur masat e sigurisë për shoqërimin e ekipit përfaqësues të Izraelit dhe zhvillimit të ndeshjes me Shqipërinë ditën e shtunë në “Elbasan Arena”.
Nën masa të rrepta sigurie ka mbërritur në Tiranë përfaqësuesja izraelite e futbollit në kuadër të ndeshjes me Shqipërinë, të vlefshme për Eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018:. Në orët e pasdites policia njoftoi bllokimin e disa akseve rrugore, por pa sqaruar arsyet ndërsa bllokimi përfshinte segmentin që nga Rinasi e deri në qendër të kryeqytetit. Federata Shqiptare e Futbollit dhe Policia nuk dhanë për asnjë moment detaje se kur ekipi mik do të mbërrinte në Rinas, kjo për arsye sigurie.
E ndërsa orari i mbërritjes u mbajt sekret, vendi ku po akomodohet skuadra izraelite nuk mund të jetë i fshehtë. Kjo për faktin se që prej mëngjesit të së enjtes, Hotel “Plaza” në qendër të Tiranës, është marrë në dorëzim nga policia. Efektivë të rendit, të njësisë “Shqiponjat” dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë kanë rrethuar perimetrin e hotelit, i cili po mbahet nën vëzhgim dhe me armatim.
Çdo automjet që futet në parkingun e hotelit i nënshtrohet një kontrolli të rreptë. Me urdhër të FIFA-s, ndeshja Shqipëri-Izrael u zhvendos drejt Elbasanit për arsye sigurie, nisur nga arrestimet e 4 personave të premten e kaluar në Shkodër, nën akuzën e akteve terroriste të mbetur në tentativë. Në pranga përfunduan shtetasit Ergys Faslija e Bekim Protopapa, ndërsa ka dyshime se ata janë pjesë e një grupi terrorist, që po organizonin një sulm të mundshëm në Stadiumin “Loro Boriçi” gjatë ndeshjes me Izraelin.