Nga Adriatik Balla (Sot) 18.02.2017 14:35
Kombëtarja kuqezi shënoi vitin e kaluar një sukses historik, pasi mori pjesë në fazën finale të Kampionatit Evropian, pjesëmarrje për herë të parë, duke kapërcyer një pengesë që më herët ishte konsideruar si e pakalueshme dhe një tabu. Kjo u arrit falë një grupi të mirë lojtarësh, të mbledhur nga vende të ndryshme evropiane dhe që luajnë me skuadra mjaft cilësore në Evropë, por edhe stafit teknik italian me në krye trajnerin Xhani De Biazi.
Në edicionin e tanishëm, në kuadër të grupit G të Eliminatoreve për Botërorin e Rusisë së vitit 2018, skuadra nuk ka pasur atë progres që kishte në eliminatoret e shkuara të Europianit, sepse në katër takime ka arritur dy fitore e dy humbje, duke qëndruar në vend të katërt me vetëm 6 pikë. Këtu ka ndikuar edhe fakti se në grupin tonë bëjnë pjesë edhe dy prej skuadrave më të mira në botë, të tilla si Spanja dhe Italia, që janë edhe kryesueset e grupit.
Sidoqoftë, kuqezinjtë nuk heqin dorë nga objektivat e tyre, duke besuar se deri në fund mund të surprizojnë për vendin në dytë dhe në këtë pozitë ata shohin si rival direkt përfaqësuesen italiane. Takimi i parë direkt me përfaqësuesen “axurre” është më 24 mars dhe do të luhet në Stadiumin “Renzo Barbera” të Palermos. Në kuadër të këtij takimi trajneri De Biazi duket i angazhuar maksimalisht dhe i emocionuar, duke pasur pritshmëri të mëdha nga ekipi i tij.
Trajneri italian me pasaportë shqiptare i kuqezinjve e ka vënë në dukje se në kuadër të kësaj ndeshjeje duhen lojtarë që kanë luajtur rregullisht dhe gëzojnë një formë të mirë sportive, në të kundërt nuk do të përfshihen në listën e të ftuarve. Mbetet dhe një muaj kohë dhe lojtarët po përpiqen të kapin formën e duhur dhe të jenë titullarë me skuadrat e tyre, për të qenë të gatshëm për duelin e 24 marsit kundër Italisë.